Gjykata e Tiranës caktoi masën “Arrest shtëpie” për Sokol Bushkolajn, i cili hodhi molotov mbi gazetarët gjatë protestës së Rithemelimit e Partisë së Lirisë para bashkisë, të martën e kaluar. Prokuroria e Tiranës kërkoi burg për 49-vjeçarin. Përfaqësues të Rithemelimit, Bledion Nallbati, Klevis Balliu dhe Elda Hoti ishin në gjykatë në mbështetje të tij.
Ndaj Bushkolajt rënduan disa akuza, ndërsa për hedhjen e molotovit mes qytetarëve dhe gazetarëve i është ngritur ajo për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë. Gjithashtu akuzohet për “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” e “Goditjet për shkak të detyrës”.
Teksa mbante maskë kirurgjikale dhe kapele në kokë, hidhte molotovë në drejtim të godinë së bashkisë, ndërsa policia i bënte thirrje të ndalonte. Po ashtu, uniformat blu proceduan në gjendje të lirë një tjetër person.
Në njoftimin zyrtar policor të 29 majit, thuhej:
Në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin: S.B., 49 vjeç, banues në Thumanë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë”.
Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 8 maj, në lidhje me protestën e datës 7 maj 2024.