Aktualitet Politikë

Arqile Bollano zgjidhet kryetar i komanduar i Bashkisë së Himarës!

Këshilli Bashkiak i Himarës ka caktuar kryetarin e ri të bashkisë, i cili do të jetë Arqile Bollano. Ai do të kryejë funksionin e tij si kryetar i komanduar pas dorëheqjes së Blerina Balës dy ditë më parë.

Bollano ishte në garë me Pervin Gjikuria i cili gjatë mbledhjes së sotme deklaroi tërheqjen nga gara, duke i mbetur detyra e re Bollanos. Për mediat Bollano u shpreh se do të punojë për të gjithë qytetarët dhe bashkëpunues edhe me palën tjetër.

‘Unë jam vazhdimësi e bashkisë dhe kemi gjithë punën për të bërë. nuk ka vend për llafe por ka vend vetëm për punë. Kemi shumë gjëra për të bërë. unë kam përgjegjësi të madhe dhe kjo do ta tregojë në vazhdimësi’, tha Bollano.

Ndërsa kandidati tjetër, Gjikuria u shpreh se i la vendin dikujt me eksperiencë dhe bashkëpunues si Bollano.

‘Ka një eksperiencë të madhe në drejtimin e bashkisë së Himarës. Di të bashkëpunojë dhe kemi nevojë për një kryetarë që di si të ecë puna’, theksoi Gjikuria.
Kandidati Arqile Bollano mori 12 vota pro nga Këshilli bashkiak i Himarës për të qenë kryetar i komanduar dhe 9 vota kundër.

Më 29 mars Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar për Himarën nga Këshilli Bashkiak pasi dy kryetarët, ai në detyrë Jorgo Goro dhe i zgjedhuri Fedi Beleri përfunduan në burg.

Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja vetëm pas një vendimi përfundimtar i Apelit të Posaçëm për Fredi Belerin, i dënuar me dy vite burg nga GJKKO pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendorë të 14 majit 2023.