Bota Celebrities

Arnold Schwarzenegger vjen me një thirrje për popullin rus!

Ish-guvernatori i Kalifornisë dhe njëkohësisht aktori hollivudian Arnold Schwarzenegger së fundmi i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë popullit dhe ushtarëve rusë duke detajuar gënjeshtrat pas propagandës së Kremlinit për luftën në Ukrainë. Nëpërmjet një video të publikuar në “Attn”, Arnold shprehet me këto fjalë:

Jetët, gjymtyrët dhe e ardhmja juaj po sakrifikohen për një luftë të pakuptimtë të dënuar nga e gjithë bota. Kremlini ka ndërmarrë veprime për të heshtur mospajtimet dhe raportimet kritike për pushtimin. Tani është e paligjshme ta quash konfliktin një luftë dhe Rusia ka lëvizur për të bllokuar aksesin në mediat sociale. Por rusët kanë pasur prej kohësh lidhje familjare me Ukrainën. Rreth 11 milionë rusë kanë familje në Ukrainë. Pra, çdo plumb që gjuan, qëllon një vëlla apo një motër. Çdo bombë ose çdo predhë që bie nuk bie mbi një armik, por mbi një shkollë, spital ose një shtëpi.

 

Schwarzenegger e përshkroi sesi babai i tij, Gustav Schwarzenegger, jetoi me fajin e luftimit për nazistët në Luftën e Dytë Botërore.

Ai jetoi pjesën tjetër të jetës së tij me dhimbje. Dhimbje nga shpina e thyer. Dhimbje nga plagët që i kujtonin gjithmonë ato vite të tmerrshme dhe dhimbje nga faji që ndjente.

Sjellim në vëmendje se aktori austro-amerikan ka 3 djem dhe 2 vajza. Ai u divorcua zyrtarisht nga nëna e 4 fëmijëve të tij më të mëdhenj në vitin 2021. Ylli shprehu dashurinë për fëmijët e tij, duke thënë:

Atësia është me të vërtetë gëzimi më i madh. Të shikosh të 5 fëmijët e mi të rriten në jetën e tyre të suksesshme është fantastike. Të kaloj kohë me ta, të punoj së bashku dhe t’u përgjigjem pyetjeve të tyre më bën të lumtur.