Bota

Armëpushimi në Gaza, Blinken në Izrael!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po qëndron në Izrael në vizitën e tij të 11-të në rajon që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian. Zyrtari i lartë i Uashingtonit pritet të takohet me zyrtarët kryesorë. Kjo në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po synojnë të rinisë përpjekjet për armëpushim pas vrasjes së liderit kryesor të Hamasit, Yahya Sinwar.

Në Izrael, Blinken shkoi disa orë pasi Hezbollahu lëshoi një breshëri raketash në Izraelin qendror më herët gjatë ditës. Hezbollahu është shpallur “organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Ndërkaq, Bashkimi Europian ka në listën e zezë vetëm krahun ushtarak të grupit, por jo edhe partinë politike. Si forcë politike, Hezbollahu ka një vend në Parlamentin libanez.

SHBA-të, Egjipti dhe Katari, tashmë prej disa muajsh kanë ndërmjetësuar bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit, duke tentuar të arrihet një marrëveshje. Kjo në mënyrë që Hamasi të lirojë pengjet në këmbim të përfundimit të luftës e të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm, me kusht lirimin e të burgosurve palestinezë.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, akuzuan njëri-tjetrin për vendosje të kushteve të papranueshme gjatë verës dhe bisedimet u ndërprenë në muajin gusht. Po ashtu, Amerika po tenton të ndërmjetësojë një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut, por këto përpjekje dështuan kur muajin e kaluar u rritën tensionet dhe Izraeli kreu një sërë sulmesh, duke vrarë edhe liderin e grupit, Hassan Nasrallahun e të tjerë komandantë të lartë.

Aktualisht, Izraeli është duke kryer një operacion të madh në veri të Gazës. Po ashtu, shteti hebraik po kryen një sërë sulmesh në mbarë Libanin, duke shënjestruar Hezbollahun. Lufta në Gaza nisi pasi Hamasi vrau rreth 1.200 persona dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit 2023. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gaza janë vrarë më shumë se 42 mijë palestinezë.

Që kur filloi lufta në Gaza, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr në kufi. Por në fillim të muajit, situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.