Bota

Armëpushimi Izrael-Hamas, sot në Katar mund të rifillojnë bisedimet!

Bisedimet për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit ndoshta pritet të rifillojnë që sot në Katar, siç thanë zyrtarë egjiptianë. Ato do të shënonin herën e parë që zyrtarët izraelitë dhe të Hamasit ulen në tryezë që nga fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit.  Ndërkohë, anijet e marinës amerikane kanë filluar operacionin e urdhëruar nga presidenti Joe Biden për ndërtimin e një porti të përkohshëm që do të mundësonte dërgimin e përditshëm të ndihmave në Gaza.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë shpresuan se do të siguronin një armëpushim 6-javor para se të fillonte Ramazani, por Hamasi refuzoi çdo formë marrëveshjeje që nuk do të sillte armëpushim të përhershëm në Gaza, një kërkesë që u refuzua nga Izraeli.

Të premten, Izraeli njoftoi se do të dërgojë një delegacion në Katar për bisedime të mëtejshme me negociatorët, pasi Hamasi paraqiti një propozim të ri, ku përfshihet shkëmbimi i pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë.

Delegacioni do të drejtohet nga kreu i agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad, David Barnea, siç bëri të ditur një person në dijeni të bisedimeve, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu do të mbledhë kabinetin për të diskutuar propozimin e ri përpara mbajtjes së bisedimeve.

Nga Vjena, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi:

Mund t’ju them se po punojmë intensivisht me Izraelin, Katarin, Egjiptin, për të përafruar qëndrimet dhe arritur një marrëveshje. Kemi bisedime që po zhvillohen edhe në këto momente që unë po flas këtu dhe jam i bindur se këto përpjekje do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.

Ndërkaq, anijet e Shteteve të Bashkuara po lundrojnë drejt Gazës në një mision humanitar, të urdhëruar nga presidenti Joe Biden. Objektivi është ndërtimi i një porti të përkohshëm në brigjet e Gazës ku do të shkarkohen ndihmat e ardhura me anije.

Sapo të ndërtohet dhe të jetë gati për të kryer misionin, ne do të jemi në gjendje të dërgojmë 2 milion vakte ushqimore në ditë, tha gjenerali amerikan Brad Hinson.

Por, ekspertët shprehen se procesi kërkon kohë dhe është i kushtueshëm.

Logjistika e përbashkët në bregdet është e improvizuar. Mënyra më e mirë për të dërguar ndihmat do të ishte me kamionë, tha ish-koloneli në ushtri Myles Caggins, tashmë në Institutin New Lines.