“Paso” si gjithmonë ju sjell të premten tuaj të preferuar sportive me plot të ftuar dhe diskutime që dhe për ju që nuk jeni shumë të informuar nga futbolli mund të kuptoni të rejat më të fundit me analizën e hollësishme që vjen vetëm në TAR. Një nga të ftuarit në lidhje telefonike ishte Armando Cengu, i cili foli si për Derby-n italian.
S’e kam ndjekur Derby-n italian (Inter-Juventus). Nuk është se po ka ndonjë gjë. Ka vite që nuk e ndjek kampionatin italian. Jam tifoz anglez, më pëlqen Liverpool.
Cungu gjithashtu foli edhe për Derby-n shqiptar, ndeshja e të cilës u zhvillua ditën e hënë mes Tiranës dhe Partizanit. Ai është shprehur se edhe pse lojtarët tanë janë të mirë, karikimi i tepërt nga publiku dhe trajnerët i ‘ngurtëson’ ata dhe kështu nuk japin maksimumin e tyre.
Lojtarët tanë janë në një nivel për të qarkulluar topin. Pompimi i tepërt që i bëhet nuk i lejon që të shfaqin vlerat. Një lojë konfuze, më shumë lojë me ndërprerje se lojë aktive. Ishte një ndeshje pa ide, ndoshta nga karikimi i tepërt i sportistëve. Futbollistët tanë kanë treguar se kanë nivel, sidomos për nivelin e kampionatit shqiptar. Trajneri duhet të uli tensionin, jo të bëjë moral në të tilla ndeshje, pasi lojtarët janë vetë të karikuar.
Ende nuk mund të flasim për një nivel shumë të lartë të futbollit në Shqipëri, por pse ndodh kjo? Për Cungun e gjitha kjo e ka një shpjegim. Sipas tij janë Presidentët ata që nuk i falin mbështetje dhe siguri trajnerëve duke i larguar menjëherë nëse nuk kanë një performancë të mirë brenda pak ndeshjeve.
Besoj te niveli i trajnerëve tanë. Kanë aftësinë e duhur. Problemi te ne qëndron te raportet mes Presidentëve dhe trajnerëve. Nuk kanë mbështetje të plotë trajnerët. Për dy ndeshje jo të mira shkon në shtëpi shumë shpejt. Nuk besoj se ndodh kështu dhe jashtë. Ndryshe ndodh me trajnerët e huaj që vijnë këtu te ne. Kanë qenë edhe më mediokër, e kanë lënë skuadrën një batardi dhe nuk kanë ikur.