Aktualitet Sport

Armando Broja: Fitojmë miqësoren e dytë, shkojmë me këmbë të mirë në Europian!

Sulmuesi Armando Broja ishte ai i cili zhbllokoi ndeshjen duke kaluar në avantazh Kombëtaren shqiptare, ditën e djeshme.

Broja shpreson të fitojnë edhe në miqësoren me Azerbajxhanin për të shkuar në Europian me këmbë të mirë.

“Jam shumë i kënaqur pasi është e rëndësishme të fillosh mirë, taktikat e trajnerit ishin shumë mirë. Fituam 3-0, me 3 gola shumë të mirë dhe kemi dominuar lojën dhe kjo është gjëja më e bukur. Atmosfera është top, jemi stërvitur shumë bashkë, të gjithë janë shumë të kënaqur. Luajtëm shumë mirë të gjithë bashkë dhe fituam ndeshjen, që kjo është më e rëndësishmja.

Ndeshja tjetër do të jetë edhe më e vështirë, por do ta përgatisim dhe ishalla e fitojmë dhe shkojmë në Europian me këmbë të mirë. I ftojmë të gjithë tifozët të vijnë në Azerbajxhan për të parë ndeshjen, faleminderit shumë për mbështetjen dhe kurajon që na japin”, deklaroi ai për mikrofonat e FSHF-së.

Shqipëria mbylli me sukses përballjen me Lichtenshtein, me dy gola në pjesën e parë dhe një në pjesën e dytë, ditën e djeshme.

Goli i parë erdhi në minutën e 31, me autor Armando Brojën, pak çaste më vonë ai i Jasir Asanit dhe u finalizua me atë të Ernest Muçit në minutën e 67-ë.

Kombëtarja nisi pjesën e parë të lojës me vrull e aksion, duke dominuar topin e duke ushtruar presion. Kuqezinjtë krijuan disa raste për të shënuar.

Në mesfushë ishin Asllani, Gjasula dhe Bajrami, ndërsa në mbrojtje, nga e djathta është Balliu, në qendër Ismajli-Ajeti dhe në të majtë Mitaj.

Titullar i portës, Etrit Berisha.