‘Çdo gjë është ashtu si duket’ nuk është asnjëherë njësoj. Nga episod në episod, temat që lëvrohen janë nga më të ndryshmet dhe padyshim çdo bisedim është një informacion i vyer për t’u dëgjuar. Këtë të enjte, krahas prezantueses Anna Shkreli e ftuar ishte arkitektja dhe autorja mbi arkitekturën, Arba Baxhaku,
Fillimisht, znj. Baxhaku na tregoi për lëvizjen e madhe të njerëzve pas viteve ’90 duke kaluar nga vendet periferike në ato më urbane dhe këtë e cilësoi si një gjë shumë normale dhe të drejtën e njeriut për të zgjedhur banesën e tij.
Nuk mendoj që çdo gjë niset nga hiçi. Është mirë të ndërtojmë duke u nisur nga disa baza. Në çlirimin e mbas ’90 me lirinë e lëvizjes pranë qendrave të banuara, njerëzit morën lirinë e banesës dhe nëpërmjet shtesave përvetësuan lirinë që e kishin privuar prej shumë kohësh. E drejta e banesës është si e drejta për të ngrënë, për të pirë.
Gjithashtu, znj. Baxhaku na tregoi ndryshimin midis mënyrës së ndërtimit dikur dhe tani, një ndryshim i madh në teknologji.
Ndërtimi nuk bëhej më nga vetë banorët, por nga specialistët, ka hyrë në punë betoni, çeliku nuk janë më gura dhe tulla që skaliten dhe ndërtohen, janë procese industriale. Prandaj këtu te ne ka ndërtime informale, sepse ka burra dhe gra që kanë ndërtuar me forcë punëtore dhe kjo është gjë e mirë sepse janë banesa që i kanë mbijetuar kohës, tërmeteve.
Padyshim që e gjithë kjo ka shkaktuar një kaos urban, por arkitektja shprehet se kështu ndodh në çdo vend të botës.
I gjithë kaosi urban që kemi, shkaku kryesor është nga çështjet ligjore të pronave që nuk janë zgjidhur ndonjëherë, në vende të tjera nuk ka qenë kaq e theksuar. Ashtu si ne përpiqemi të integrohemi në qytetet e jashtme europiane. Të gjithë jemi të periferisë. Askush nuk jeton në qendren absolute.