Arjan Peço ishte i ftuar ditën e sotme në “Paso”, në takimin e fundit për këtë vit të emisionit tuaj të preferuar sportiv. Trajneri i futbollit, komentoi situatën e futbollit në përgjithësi, duke mos lënë pa përmendur në veçanti derbin që u zhvillua ditën e djeshme ku Tirana mundi Partizanin. Teksa na zbuloi se e pa në stadium ndeshjen, ku padiskutim emocionet janë më të forta, Peço u shpreh si më poshtë.
Në disa aspekte ia vlejti. Ishte një ndeshje e ndjerë, me emocione, me veprime, shumë impresive…
Ndërkohë, ai nuk la pa komentuar sjelljen e disa prej tifozëve, e cila sigurisht nuk është për t’u duartrokitur. Duke bërë një krahasim me derbit dikur, Arjan Peço bën jnë gjykim për tifozët sot.
Unë nuk e di janë apo jo tifozë të vërtetë, apo janë njerëz që duan të ushtrojnë dhunë dhe të shfryjnë dufet e tyre… Derbit tona kanë qenë ndryshe. Unë kam qenë vetë futbollist, ka qenë një atmosferë festive. Tani i ngjajnë më shumë Europës Lindore, duan të bëjnë më shumë sherre…
Lidhur me rezultatin, Peço komentoi si më poshtë.
Rezultati m’u duk i drejtë… Një ndeshje e çuditshme me shumë ndërprerje… Nuk gjetën ritmin e duhur sepse kishte ndërpreje nga më të ndryshmet, dëmtime… Por Tirana dukej që ishte një ekip me shumë potencë…