Pas më shumë se njëzet vjetësh në robëri, ariu Mark ka mbërritur në shtëpinë e tij të re, një vendstrehim kafshësh në Austri. CNN i ka dedikuar një artikull historisë së Markut i cili cilësohet si një prej “arinjve të fundit të restoranteve” në Shqipëri. Ariu i murrmë 24-vjeçar është i fundit “ari restoranti” në vendin tonë, sipas një njoftimi nga Four Paws, megjithëse ka arinj të tjerë në robëri, në rrethana të vështira në vend.
Marku u shpëtua më 7 dhjetor dhe mbërriti në shtëpinë e tij të re, “BEAR SANCTUARY Arbesbach” në Austri. Kur organizata Four Paws vizitoi ariun Mark për herë të parë, kafsha vuante nga probleme të rënda shëndetësore. Ai ishte mbipeshë, kishte dhëmbë të thyer dhe shfaqte sjellje “jonormale” për shkak të mungesës së stimulimit në kafazin e tij të ngushtë.
Ariu nisi një udhëtim 44-orësh për në shtëpinë e tij të re, sipas organizatës. Ai udhëtoi nëpër Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë përpara se të arrinte më në fund në strehë. Pas mbërritjes në Austri, Marku e pati të vështirë të ambientohej me habitatin e tij të ri me dëborë. Kjo pasi ai nuk kishte dalë nga kafazi për më shumë se 20 vite. Ai do të qëndrojë në një ambient më të vogël në natyrë për momentin derisa të përshtatet me mjedisin e tij të ri dhe të zhvendoset në një mjedis akoma më të madh.