Bota

Argumenton tërheqjen, presidenti Biden: Pasoj stafetën për të bashkuar vendin!

Presidenti Joe Biden tha se po i kalon stafetën një brezi të ri ndërsa u shpjegoi amerikanëve largimin e papritur nga gara presidenciale, pas një karriere politike mbi 50-vjeçare.

Unë e nderoj këtë zyrë, por e dua më shumë vendin tim.

81-vjeçari hodhi poshtë presionin disa javor të demokratëve për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas debatit katastrofik të 27 qershorit. Gjatë një interviste, më herët pati thënë se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë të tërhiqet nga gara.

Kam vendosur se mënyra më e mirë për të shkuar para, është t’i kaloj stafetën një brezi të ri. Kjo është mënyra më e mirë për të bashkuar vendin tonë.

Biden e mori vendimin disa ditë pasi shqyrtoi parashikimet e sondazheve se ai mund të humbiste përballë republikanit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit e të dëmtonte edhe shanset e fitores së zgjedhjeve të ligjvënësve demokratë.

Gjëja e madhe e Amerikës është se këtu nuk sundojnë mbretërit dhe diktatorët. Populli sundon. Historia është në duart tuaja. Fuqia është në duart tuaja. Ideja e Amerikës është në duart tuaja.

Këto ishin komentet e para të zgjeruara publike të presidentit Biden që nga e diela kur njoftoi se kishte vendosur të tërhiqej nga gara presidenciale për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Ai u bë presidenti i parë në detyrë që nuk kërkon një mandat të dytë që nga viti 1968 kur mes kritikave të ashpra për trajtimin e Luftës në Vietnam, Lyndon Johnson, u tërhoq papritur nga fushata më 31 mars.

Biden i bashkohet listës së presidentëve James K. Polk, James Buchanan, Rutherford B. Hayes, Calvin Coolidge e Harry Truman që vendosën të mos kandidojnë për një mandat të dytë. Presidenti u përball me thirrjet për t’u larguar nga gara pasi paraqitja e dobët në debatin me Trump-in ngriti pikëpyetje shqetësuese në lidhje me gjendjen e tij mendore.

Biden tha se do të përqendrohet te detyra e tij si president në 6 muajt e mbetura në detyrë. Sot do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, lidhur me përpjekjet për të negociuar një armëpushim në Gaza.

Kjo ishte hera e katërt që presidenti Biden iu drejtua vendit nga Zyra Ovale, që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2021.