Bota

Argjentina i kërkon ICC-së arrestimin e Maduros!

Pas dy ditësh, Argjentina do t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë me kërkesën që të lëshojë një urdhërarresti për presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.

Pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut, të cilat u shoqëruan me akuza për mashtrim të gjerë të votuesve, veprimet e ndërmarra nga qeveria e Maduros mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme. Argjentina synon të nxisë një urdhërarresti kundër Maduros dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së tij, me një kërkesë zyrtare në gjykatën e Hagës, të hënën.

Maduro, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013, siguroi një mandat të tretë në zgjedhjet e diskutueshme. Kjo pasi autoriteti elektoral i vendit, i mbushur me besnikë të qeverisë venezueliane, e shpalli fitues. Qeveria nuk dha asnjë numër konkret të votuesve, për të mbështetur fitoren e Maduros.

Opozita pretendon fitoren për kandidatin e saj, ish-diplomatin 75-vjeçar Edmundo González dhe ka mbështetje të konsiderueshme nga vendet e tjera të rajonit, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga votimi, policia ka goditur demonstruesit kundër Maduros.

Organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, PROVEA raportoi se 24 persona kanë humbur jetën deri tani. Rezultatet e autoriteteve zgjedhore konfirmuan fitoren e presidentit Maduro, por opozita që nuk kishte dyshime në humbjen e tij, reagoi duke kundërshtuar ashpër. Sondazhet që i paraprinë presidencialeve, nuk flisnin për fitore të Maduros, në pushtet prej 11 vitesh.

Në platformën e mediave sociale X, “Provea” shkroi se në të paktën nëntë nga vrasjet, grupet e armatosura civile pro qeveritare, të njohura si “Colectivos”, ishin identifikuar nga dëshmitarët okularë si autorë të mundshëm.

Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” (HRW) foli gjithashtu për “raporte të besueshme të 24 vdekjeve” po në lidhje me protestat. E ndërsa Rusia mbështet vetëm Nicolas Maduron, Bashkimi Europian, BE tha se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë pa zbulimin e plotë të të dhënave zyrtare të votimit ndaj dhe Unioni po pret një tjetër njoftim që të vijë nga Venezuela e trazuar.

Në një përshkallëzim të rëndësishëm, në fillimjavë, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Venezuelës njoftoi se u lëshua një urdhërarrest për Gonzálezin.