Top Albania Radio ka zhvilluar një mbrëmje gala në nder të 25 viteve të krijimit të saj, me sloganin e “25 viteve kujtime” (25 Years, Creating Memories) pa kurrëfarë nostalgjie për të shkuarën, por me shijen e mirë të saj, kjo radio rend drejt 25 viteve të ardhshëm, sido qofshin ata, të lehtë apo të mundimshëm, të artë apo të zymtë, pa ju trembur asgjëje, sepse diçka e krijuar me dashuri, që mbahet gjallë nga dashuria, frymon prej saj çdo ditë, është e sigurt në triumfin e pashmangshëm e të përjetshëm.
Një mbrëmje e mbushur me miq e dashamirës të Top Albania Radio-s dhe me njerëzit që kontribuojnë çdo ditë për të sjellë suksesin e saj gjithnjë e në rritje. Sigurisht nuk munguan as yje të botës së ekranit dhe të çdo fushe. Ardit Çuni ishte pjesë e të ftuarve VIP, i cili së fundmi është në rolin e opinionistit të “Big Brother Fan Club”…
E kam vënë re kohët e fundit që më shkon serioziteti, që kur mora rolin e opinionistit në “Big Brother Fan Club”. Ka shumë peshë, si profesionale, ashtu dhe deri diku artistike. Jam vërtet i lumtur që gjendem në Top Channel. Po bëjmë gati dy vite së bashku, kështu që është kënaqësi e madhe që po vazhdojmë këtë projekt kaq të rëndësishëm si “Big Brother”.
Si ka qenë marrëdhënia me Top Albania Radio-n?
Marrëdhënia ka qenë shumë e mirë që në fillimet e mia, që në 2012-tën në Top Fest-in e parë timin. Top Albania Radio ka qenë një ndër suportuesit më të mëdhenj të mi. Kam qenë në vend të parë disa herë në Top Awards dhe jam shumë i lumtur që sot ndajmë së bashku 25 vite muzikë të bukur dhe shumë dashuri, shumë artistë dhe njerëz të bukur.