Këngëtarja e njohur Cher dhe Alexander ‘AE’ Edwards i kanë dhënë fund lidhjes së tyre, pas më shumë se gjashtë muajsh romancë. 76-vjeçarja dhe 37-vjeçari u ndanë disa javë më parë. Disa kohë më parë thuhej se dyshja e njohur ishin fejuar por burimet zbuluan se kjo gjë nuk ishte e vërtetë. Këngëtarja ndau me ndjekësit një unazë diamanti që i ishte dhuruar nga Edwards për Krishtlindje, duke çuar në spekulime se ai i propozoi asaj.
Megjithatë, burimet tani pohojnë se ata kurrë nuk u fejuan. Ndërkaq, Cher nuk ka komentuar ende publikisht për ndarjen dhe nuk ka qenë aktive në Twitter apo Instagram që nga muaji mars. Ata thuhet se u takuan për herë të parë në Javën e Modës në Paris në fund të shtatorit 2022, por u fotografuan për herë të parë së bashku në fillim të nëntorit 2022. Cher u pa duke u mbajtur për dore me të jashtë qendrës së Hollywood-it, përpara se të shkonte në The Nice Guy në fillim të nëntorit.
Më vonë atë muaj, ajo pranoi se marrëdhënia e tyre dukej e çuditshme, megjithëse shtoi se dashuria nuk njeh moshë. Rikujtojmë, se Cher është dy herë e divorcuar dhe ka djalin, Chaz Bono, 53-vjeç, me ish-bashkëshortin e saj të ndjerë Sonny Bono, i cili ndërroi jetë në vitin 1998. Alexander nga ana tjetër njihet më së shumti për lidhjen me ish-in e Kanye West, Amber Rose me të cilën ka djalin tre-vjeçar Slash Electric Alexander Edwards.