Tech

Apple paralajmëron rritje të çmimeve të shumë prej shërbimeve të saj të abonimit!

Apple ka njoftuar rritje të çmimeve të shumë prej shërbimeve të saj të abonimit. Abonimi mujor i Apple TV+ tani do të kushtojë 9,99 dollarë, nga 6,99 dollarë. Në baza vjetore, abonentët do të duhet të paguajnë 36 dollarë shtesë. Një vit më parë, Apple rriti çmimin e abonimit nga 4,99 dollarë në 6,99 dollarë. Sipas kompanisë, nuk do të ketë reklama në abonim. Ndryshimi zbatohet menjëherë për përdoruesit e rinj, ndërsa për përdoruesit ekzistues në rinovimin e radhës.

Apple TV+ nuk është shërbimi i vetëm për të cilin kompania po rrit çmimet. Apple Arcade, platforma e lojrave, ngriti çmimin nga 4,99 dollarë në 6,99 dollarë. Një rritje u njoftua edhe në çmimin e Apple News, i cili tani kushton 12,99 dollarë, tre herë më shumë se sa paguanin abonentët deri vonë. Rritjet e çmimeve prekin edhe Apple One, abonimi që integron të gjitha shërbimet e kompanisë. Tani çmimi për një abonim individual është 19,95 dollarë, ndërsa paketa familjare kushton 25,95 dollarë në muaj.

Sipas kompanisë me bazë në Kaliforni, nuk ka asnjë ndryshim në çmimet e Apple Music, Apple Fitness+ dhe iCloud+. Të ardhurat e Apple nga abonimet ishin 21 miliardë dollarë në tremujorin e dytë, 8% më shumë se një vit më parë. Rikujtojmë, se hulumtimi i kompanisë analitike Counterpoint ka publikuar së fundmi një analizë të tregut për tremujorin e tretë, kur bëhet fjalë për shitjet e telefonave. Sipas raportit për periudhën korrik-shtator, dërgesa globale e telefonave shënoi një rënie prej 8% në tremujorin e përmendur, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.