Aktualitet

Aplikimet për fonde buxheti, nga 1 janari vetëm nga ujësjellësit që realizuan 50% të objektivave!

Nga 1 janari 2025, vetëm ujësjellës-kanalizimet që kanë përmbushur 50% të objektivave të përcaktuara në marrëveshjen e perfomancës së nënshkruar me Agjencinë Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime (AKUK) do të kualifikohen për të aplikuar për fonde investimesh nga buxheti i shtetit. Dhënia e fondeve pas aplikimeve synon mbështetjen për investime që nga rritja e cilësisë së shërbimit të furnizimit me ujë deri për trajtimin e ujërave të ndotura.

Në udhëzimin “Për miratimin e metodologjisë, kritereve dhe procedurat, për vlerësimin dhe prioritizimin e fondeve buxhetore të investimeve publike, për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës kanalizimeve” të botuar në Fletoren Zyrtare parashikohet se AKUK-ja përllogarit ndarjen e fondeve për një periudhë 3 vjeçare duke prioritizuar zhvillimin e politikave bazuar në Strategjinë Kombëtare dhe Buxhetin Afatmesëm të njoftuar nga Ministria e Financave.

Sipas udhëzimit aplikimet duhet të dorëzohen gjatë periudhës së dorëzimit të aplikimeve, e cila zgjat çdo vit, nga 1 mars deri më 30 qershor – periudha e parë. Dhe nga 1 tetori deri më 30 nëntor – periudha e dytë. Dispozitat e këtij udhëzimi do të zbatohen për të gjitha kërkesat që do të bëhen nga subjektet përfituese, nga data 1.1.2025.

Ndërsa, përpara secilit cikël të aplikimeve, në janar dhe në shtator të çdo viti, u bëhet me dije ofruesve të shërbimeve në sektorin ujësjellës kanalizime vlerën e fondeve të disponueshme për secilën politikë.

Fondet buxhetore do të mbështesin së pari programet për rritja e aksesit në ofrimin e shërbimit të furnizimit me ujë cilësor dhe të menaxhuar në mënyrë të sigurt; rritja e aksesit në ofrimin e shërbimeve me kanalizime dhe impiante të trajtimit të ujërave të ndotura; rritja e eficiencës në shërbimet e furnizimit me ujë; forcimi i kapaciteteve dhe modernizimi i ofruesve të shërbimeve në sektorin ujësjellës kanalizime.

Për secilën politikë që ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve aplikojnë për përfitim fondesh sipas udhëzimit do të ndiqen procedurat e vlerësimit.

Projektet që synojnë në reduktimin e ujit pa të ardhura vlerësohen të pranueshme për përfitimin e fondeve nëse lidhen me përmirësimet e infrastrukturës që synojnë përmirësimin e vazhdimësisë së furnizimit me ujë me fokus të veçantë në zonat urbane, zonat turistike dhe/ose zonat bregdetare, dhe përfshijnë investime në, të paktën, një nga zërat e mëposhtëm: a) reduktimi i humbjeve në linjat e transmetimit ose shpërndarjes; b) reduktimi i humbjeve dhe tejmbushjeve në rezervuarë (depot e ujit); c) reduktimi i humbjeve në rrjetin shpërndarës; d) vendosja e matësve etj.

Aplikimet e miratuara dhe subjektet përfituese janë subjekt i monitorimit, kontrollit dhe auditimit që do të kryhen nga AKUK-ja dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE) si dhe nga autoritetet kombëtare përgjegjëse për certifikimin, auditimin dhe kontrollin e fondeve./Monitor