Apeli i GJKKO vendosi ditën e sotme të mos ndryshojë masat e caktuara ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Kështu, Meta do të mbetet ende në burg, pasi u arrestua rreth një muaj më parë, ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi do të jetë ende nën masën e detyrimit të paraqitjes.
Njoftimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt:
“Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe J.K.
Pas këtij vendimi, ka reaguar për mediat avokati i Metës dhe Kryemadhit, Genc Gjokutaj. Ai tha se vendimet e dy gjykatave janë të paarsyetuara. Gjokutaj shtoi se nuk i ka humbur shpresat, duke thënë se këta gjyqtarë do të nisin të dëgjojnë. Ai paralajmëroi se pas ndjekjes së rastit në shkallët e gjyqësorit shqiptar, nëse është e nevojshme, do e ndjekin atë edhe në gjykatën ndërkombëtare.
Genci Gjokutaj: Gjykata e Apelit është si GJKKO në mos më keq. Vendimet e dy gjykatave janë të paarsyetuara. Sistemi i drejtësisë është sorosifikuar. Z Meta atë ditë ka qenë në Kosovë. Meta e ka ditur procesin dhe nuk mund të intimidojë dhe as të prishë provat. Nuk i kemi humbur shpresat, këta gjyqtarë do nisin të dëgjojnë, sepse nuk mund të ecet me këtë formë, që gjithë opozita në burg dhe këta “korrin suksese çdo ditë”. Do konsumojmë të gjitha shkallët e drejtësisë shqiptare, por nëse është nevoja do t’i drejtohemi edhe drejtësisë ndërkombëtare.