Aktualitet

Apeli i Posaçëm la në fuqi sekuestrimin e llogarive bankare të ish-ministrit Arben Ahmetaj!

Ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin e GJKKO-së lidhur me sekuestrimin e një prej llogarive bankare të ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Gjyqtari Dhimitër Lara vendosi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë për sekuestrimin, duke rrëzuar kërkesën e Ahmetajt për rishikim. Eshtë fjala për llogarinë bankare ku ish-numri dy i qeverisë i kalonte para vajzës për shkollimin e saj, siç tha avokati i tij, Ardian Visha. Seanca e planifikuar për djeshme, u shty për në orën 09:00 të mëngjesit.

Kujtojmë se katër apartamente dhe dy llogari bankare e që dyshohet se i takojnë Arben Ahmetajt, janë sekuestruar, ndërsa Prokuroria e Posaçme, SPAK ka lëshuar urdhër-arrest për të. Disa muaj më parë, Ahmetaj kërkoi edhe heqjen e sekuestros së apartamentit në Tiranë, kërkesë që u rrëzua nga Apeli i Posaçëm.

Dyshohet se Ahmetaj ka kryer korrupsion në gjashtë episode, po ashtu ka fshehur pasuri e ka pastruar para, sipas dosjes hetimore në të cilën përmenden shumë emra të tjerë biznesmenësh, ish-nëpunësish e persona të ndryshëm nën hetim.

Sipas SPAK-ut, janë ushtruar kontrolle në shtatë banesa, në të cilat janë sekuestruar dokumente, laptop, telefona celularë, USB dhe materiale të tjera. Avokatët e Arben Ahmetajt deklaruan se nga vendi, ai u largua përpara se Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtonte kërkesën e SPAK-ut.

Si ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u vendos nën hetim për dosjet e inceneratorëve, pas këqyrjeve në një kompjuter që i përket biznesmenit Klodian Zoto, i cili rezultoi se kishte paguar e prenotuar udhëtime luksoze për ish-funksionarin, vlera e të cilave u llogarit nga SPAK-u në shumën e 34 mijë eurove.

SPAK-u i referohet një sërë dëshmive të biznesmenëve që tregojnë se vilat në Palasë e në Hamallaj janë të lidhura me Arben Ahmetajn, ndërkohë që nga një telefon blackberry i sekuestruar janë përftuar mesazhe e komunikime edhe me persona të tjerë, zyrtarë, ish-zyrtarë dhe biznesmenë.