Bota

Apeli i Guterres-it: T’i jepet fund gjakderdhjes në Gaza dhe Liban!

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje për t’i dhënë fund “dhunës tronditëse”, si dhe “gjakderdhjes” në Gaza e në Liban, një ditë para përvjetorit të parë të sulmit nga lëvizja islamike palestineze Hamas në Izrael. E hëna e ditës së nesërme do të shënojë përvjetorin e parë të sulmit të paprecedentë të Hamasit, i cili tronditi Izraelin dhe ndezi luftën në Rripin e Gazës e që i ka marrë jetën rreth 42 mijë palestinezëve. Që atëherë, luftimet janë përhapur në Libanin fqinj, kundër grupit militant pro-iranian Hezbollah, aleat i Hamasit.

Kjo ditë është një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që të dënojë edhe një herë me zë të lartë aktet e neveritshme të Hamasit, përfshirë marrjen e pengjeve, tha Antonio Guterres në një deklaratë.

Në këtë deklaratë, Guterres kërkoi “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të pengjeve, si dhe i kërkoi Hamasit “të lejojë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq t’i vizitojë ata”.

Nga 251 personat e rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit, 97 ende janë pengje në Gaza, duke përfshirë 64 të supozuar të gjallë e 33 të vdekur. Numri i të vdekurve nga sulmi i Hamasit në tokën izraelite është 1 mijë e 205, shumica civilë, sipas një numërimi të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite, përfshirë pengjet që vdiqën ose u vranë në robëri në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi.

Si hakmarrje, Izraeli nisi një operacion ushtarak që deri tani ka vrarë të paktën 41 mijë e 825 njerëz në Gaza, kryesisht civilë, referuar shifrave të qeverisë së Gazës të udhëhequr nga Hamasi.

Që nga 7 tetori 2023, një valë tronditëse e dhunës dhe gjakderdhjes ka filluar. Eshtë koha për të liruar pengjet (…) Eshtë koha që armët të heshtin. Eshtë koha për të ndaluar vuajtjet që kanë pushtuar rajonin.

Po ashtu, Guterres shprehu shqetësimin për shtrirjen e konfliktit në Liban kundër Hezbollahut.

Lufta që pasoi sulmet e tmerrshme të një viti më parë ende po shkatërron jetë dhe po u shkakton vuajtje të thella njerëzore palestinezëve në Gaza e sot popullit libanez.

“Që nga tetori 2023, më shumë se 2 mijë njerëz janë vrarë në Liban, duke përfshirë më shumë se 1 mijë që nga intensifikimi i sulmeve izraelite më 23 shtator”, sipas autoriteteve. Rreth 1.2 milion vetë janë zhvendosur.