E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë këngëtarja e njohur Anxhela Peristeri. Ajo së fundmi ka sjellë një bashkëpunim me G-Bani, rikrijimin e hitit të tij të vitit 2006 me Crazy Girl, që mban titullin “Të dua”. Si lindi e gjithë ideja për risjelljen e këtij projekti? Ja çfarë na thotë Anxhela…
Më ka pëlqyer shumë në adoleshencën time. Ndër vite sa herë e dëgjoja më pëlqente shumë. Po rrija një ditë në TikTok dhe po e dëgjoja. Mendova sa bukur do ishte ta sillnim sërish me G-Banin.
Nga ana tjetër, në lidhje telefonike u bashkua dhe G-Bani, i cili tregoi ndjesitë e tij për risjelljen e këtij hiti…
Për mua ishte bekim, duke qenë se Anxhelën e admiroj që kur e kam dëgjuar për herë të parë. Nuk do ta kisha bërë me asnjë tjetër. Jemi kontaktuar nga miq të përbashkët për këtë ide. Lindi gjithçka natyrshëm, ishte shumë e thjeshtë. Për mua ishte shumë pozitive, e doja shumë.
A ke fituar shumë gjatë viteve me këtë këngë?
Nuk i gjykoj dot këngët e mia me sa lek kam marrë. Ka hapur dyer në karrierën time, që tani po bëj dhe një remake me një nga këngëtaret më të mira, siç është Anxhela. Për mua ka sjellë gjëra shumë të mira.
Cili ka qenë ndryshimi i Crazy Girl me Anxhela Peristerin dhe si ishte të punoje me të?
Unë Crazy Girl e dua dhe e respektoj shumë. Kur është bërë kënga ajo ka qenë repere, kurse Anxhela vokaliste. Ka sjellë atë që doja që kënga të kishte në vitin 2023. Ishte dhuratë nga Zoti që Anxhela donte të bënte këngën. Kam ngelur i mahnitur, më ka pëlqyer çdo gjë. Këtë herë është dhe me videoklip, dhe Anxhela në videoklip është diçka e mahnitshme. Unë Anxhelën e admiroj aq shumë sa nuk kam dashur të mërzitet. Unë jam bindur me ato që kërkonte ajo.
Keni pasur ndonjë vështirësi gjatë xhirimit të këngës? Ja çfarë tregon Anxhela…
Nuk kishim momente të vështira, na shkoi shumë mirë. Kemi qenë të dy në studio. Kemi bërë dhe një TikTok pastaj, që na e bëri Young Zerka. Kemi pasur një proces shumë të lehtë. G-Bani është shumë detajist. E kemi gjetur gjuhën së bashku.
Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund ta votoni atë për të qenë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.