Anulohen tri koncerte të këngëtares amerikane, Taylor Swift në Austri, pas arrestimit të një simpatizanti të grupit ekstremist, Shteti Islamik në lidhje me planifikimin e një sulmi, siç thanë organizatorët. Më herët, autoritetet austriake konfirmuan arrestimin e një 19-vjeçari, pas dyshimeve për planifikim të një sulmi në kryeqytetin Vjenë, duke paralajmëruar se në “fokus” kishte tre koncertet që planifikonte Swift.
Dhjetëra mijëra fansa të yllit të muzikës pop, Taylor Swift, kanë mbetur pa ndjekur tri koncerte në Vjenë për shkak të masave të sigurisë kundër një sulmi të mundshëm terrorist. Fansat e Taylor Swift vendosën ta shfrytëzonin situatën sa më mirë, ndaj pavarësisht shiut, ata u mblodhën në rrugën Cornelius dhe filluan të këndojnë, ndonëse disa prej tyre po qanin. Ata shkëmbyen byzylykë, një praktikë e zakonshme në koncertet e saj dhe pamjet e ribashkimit u bënë virale në rrjete sociale.
@joeprutjes Singing together in the ‘Singerstreet’ of Vienna after shows got cancelled #taylorswift #taylornation #vienna #taylorswifterastour #swifties #erastour
Edhe Vjena vendosi të ngushëllojë fansat e shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Në faqen zyrtare të qytetit të Vjenës, është bërë e ditur se të gjitha ekspozitat dhe sfilatat e modës janë falas për vizitorët me biletat e blera të koncertit. Qyteti ka siguruar gjithashtu hyrjen falas në stadiumin Wiener Stadionbad për këdo që tregon një biletë koncerti, ndërsa ata që kërkojnë argëtim do të mund të hyjnë falas në disa klube. Gjithashtu, disa hotele ofrojnë ushqim dhe pije falas me paraqitjen e një bilete koncerti dhe një dyqan bizhuterish po jep varëse falas.