Bota Sport

Antonio Conte vlerëson kuqezinjtë: Futbollistët shqiptarë janë në rritje të dukshme!

Antonio Conte ishte një ndër trajnerët më të lakmuar në merkaton e kësaj vere pas një periudhe të gjatë pushimi që bëri pas largimit nga Tottenham.

Pas një gare me Milanin, ishte De Laurentis i Napolit që arriti të ishte më konkret për të përfituar nga shërbimet e një prej trajnerëve më të mirë Italian, për të ringritur skuadrën e tij pas një viti që mbylli aspak të mirë. Një ndër testet e Napolit ishte dhe ky takim përballë Egnatias fundjavën e shkuar, për të cilin Antonio Conte, tregon ekskluzivisht për Top Channel punën që po bën për Napolin, por edhe për jehonën e lojtarëve shqiptarë dhe kombëtares sonë në arenën europiane të futbollit.

“Një ndeshje stërvitore dhe një test i vlefshëm, kundër një skuadre të organizuar mirë dhe që është kampionia e Shqipërisë në fuqi dhe le të themi që për ne ishte një test i mirë”.

Po si po shkojnë përgatitjet tek Napoli në këtë erë të re, ku në bazë të parashikimeve, përflitet të jetë skuadra e dytë ose e tretë pretendente për titullin e Serisë A.

“Le të themi që jemi ende në fazë përgatitore dhe po i afrohemi formës që na duhet. Ky është një moment përgatitjesh dhe ne po punojmë shumë nga ana fizike kryesisht, por edhe nga ana fizike dhe taktike sepse, sidoqoftë, na duhet që të njihemi me skuadrën dhe na duhet të zhvillojmë idetë që po provojmë dhe provojmë në çdo seancë stërvitore. Më pas ja vlen të themi se sa më shumë teste bëjmë më tepër përmirësime kemi dhe ky test i fundit me ishte i mirë përballë një skuadre vërtetë shumë të mirë”.

Dhe në kohët e sotme, të jesh një juventin në Napoli nuk është aspak e thjeshtë edhe si turist, jo më pjesë e ambientit të futbollit, apo në krye të skuadrës napoletane.

“Ne që jem trajner të nivelit profesionist dhe në rastin tim, unë kam patur kënaqësinë dhe fatin që të drejtoj jo vetëm Juventusin, që është një skuadër e madhe në Itali ashtu si edhe Interi, pa harruar këtu karrierën time të mëparshme, pasi kam drejtuar edhe Barin apo Sienën, më pas eksperiencat tek CHelsea dhe Tottenham dhe tani më erdhi kjo mundësi. Le të themi që kam shumë punë për të bërë sepse viti i shkuar ka qenë i dështuar nga të gjitha këndvështrimet dhe njerëzit e dinë shumë mirë që mua më thërrasin gjithmonë për të rikonstruktuar. Unë mendoj se po ndërtojmë diçka të rëndësishme pas një viti për t’u harruar si ai i vitit të shkuar”.

Në Euro 2016-të kur Shqipëria mori pjesë për herë të parë në finalet e një Europian, Conte drejtonte Italinë, ndërsa këtë herë, në Euro 2024 e ndoqi Italinë si tifoz, duke filluar që nga debutimi i axurrëve përballë Shqipërisë.

“Patjetër që e kam parë ndeshjen e Europianit, pashë edhe Shqipërinë dhe mund të them që Sylvinho po bën një punë shumë të mirë, arriti ta çojë skuadrën në finalet e Europianit, një gjë shumë e bukur. Futbollistët shqiptarë janë gjithmonë në rritje të dukshme dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ju heq kapelen për punën që po bëhet në futbollin tuaj. Shoh që Shqipëria do të ketë një të ardhme të ndritur. Të gjithë e dimë që mes Italisë dhe Shqipërisë ka pasur dhe ka gjithmonë një raport shumë të mirë, ka një lidhje që më vjen vërtet shumë mirë”.