Vitet ’30 e ’40 përbëjnë në tërësi një periudhë të ndritur për ne shqiptaret, një vërshim të fuqishëm kulturor, një përpjekje vigane për të formësuar e kalitur identitetin kombëtar në të gjitha pikëpamjet, në të gjitha fushat e dijes dhe të jetës, prirë nga dashuria dhe dëshira e zjarrtë për ta parë kombin tonë të rreshtuar përkrah kombeve të zhvilluara perëndimore. Megjithatë, forma më e spikatur ekspresive e asaj periudhe, që e synon këtë lartësim shpirtëror, identitar e kombëtar, mbetet poezia.
Një grumbull poetësh të harruar apo të larguar qëllimisht nga përfaqësimi i letërsisë sonë të traditës, janë rimarrë në vëmendje dhe përmbledhur në nje libër te mrekullueshëm. Poezi mahnitëse, një gjuhë e harruar por kaq e dashur dhe e pastër.
Vetë autori ka bërë një punë shumë të madhe për t’i zbuluar këta poetë dhe për t’i sjellë në kujtesë, të cilët befas duken sikur janë fshirë krejtësisht nga letërsia. Jo thjesht gjatë 50 viteve të regjimit komunist, por edhe më pas. Disa prej tyre janë mjaft të njohur, ndërsa një pjesë tjetër nuk ia kemi dëgjuar emrin dhe janë poetë të një niveli të lartë, të cilët kanë shkruar poezi gjatë viteve ’30 e ’40 e që janë botuar në revista të ndryshme.
Pikërisht këto poezi, Shëptim Kelmendi i ka ‘gërmuar’ nëpër revista të asaj kohe, si “Votra”, “Ylli i Dritës”, “Agimi”, por dhe të tjera. Nëpërmjet “Antologji e poetëve të harruar”, lexuesi mund të kuptojë më mirë se çfarë ka ndodhur në ato vite dhe pse këta shkrimtarë janë zhdukur nga tekstet dhe nga emrat më të shquar të letërsisë sonë. Pjesa më e madhe e tyre i janë kundërvënë regjimit, qoftë edhe vetëm duke shkruar poezinë e tyre, dhe regjimi ka dashur që ata të zhdukeshin e të harroheshin.
“Antologji e poetëve të harruar” nuk sjell vetëm vlerën e një poezie të mrekullueshme, por ka dhe vlera të rëndësishme studimore, që secili nga ne do të donte që të njihte.