Health & Beauty Lifestyle Vitality Vibes | News

Anti-doping në Shqipëri/ Ekspertët Surven Metolli dhe Aisel Oseku ndajnë standardet e reja!

“Vitality Vibes” është një emision që ka për qëllim informacionin mjekësor për dëgjuesit në lidhje me simptomat e para të disa sëmundjeve dhe kurimin e tyre. Mënyra e rrëfimit të pacientëve sesi nisin simptomat e para në formën e rrëfimeve, vizitat tek mjeku, rrëfimet e mjekëve për dyshimet e tyre në lidhje me diagnozën e saktë, vendosja e saktë e diagnozës dhe fillimi i kurimit. Bashkëpunim me mjekë të njohur dhe personazhe të njohur të cilët kanë pasur eksperienca sëmundjesh. Ky emision ka si synim informimin e publikut mbi të rejat në fushën e mjekësisë, kërkimet, teknologjitë e reja dhe gjithçka tjetër. Të ftuar në episodin e sotëm të “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin kanë qenë Surven Metolli dhe Aisel Oseku për të folur rreth anti-doping në Shqipëri.

Anti-dopingu është kundërshtimi ose ndalimi i dopingut të paligjshëm (si dopingu i gjakut ose përdorimi i steroideve anabolike ose hormoneve të rritjes) për të përmirësuar performancën atletike. I pyetur se çfarë është ALB NADO dhe kur ka filluar të implementohet në Shqipëri, eksperti Surven Metolli është shprehur:

ALB NADO e përkthyer në shqip është OKAD (Organizata Kombëtare Anti-Doping). Ka shumë vite që funksionon, nuk është se është një term i ri, por në fillim kur u bë ligji i sportit ai funksiononte si një komision nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe drejtues ishte zv. ministri i sporteve përkatës. Duke qenë se VADA e ka me shumë rëndësi që pjesa e doping-ut duhet të jetë i shkëputur nga politika, për këtë arsye u ndërtua një organizatë e pavarur dhe ne jemi shumë krenarë që organizata jonë ALB NADO tashmë i plotëson të gjitha kushtet dhe të gjitha kriteret si organizata në Gjermani, ose në vende të tjera europiane, ose në të gjithë botën. Së fundmi, ne sapo kemi kaluar një audit. Për dijeninë e publikut duhet që vendet që të plotësojnë kushtet, duhet të kalojnë një audit shumë të thellë të VADA-s dhe këtë e kalojnë të gjithë vendet e botës, ose më saktë ato që e kanë nënshtruar kodin e VADA-s. Shqipëria është një ndër vendet e para që është angazhuar dhe sigurisht është Ministria e Arsimit dhe Sportit që i ka nënshtruar të gjitha marrëveshjet e duhura, kurse ne jemi zbatues të gjithë detyrimeve tona dhe ka një muaj që ka ardhur përgjigja nga auditi i VADA-s që ne e kemi kaluar me sukses.

Më tej, Aisel Oseku ka zbuluar se si funksionon më thellë kjo organizatë, përfshirë këtu personat që angazhohen dhe përse e mbajnë kaq të fshehtë pjesëmarrjen e tyre në ALB NADO.

Ka edhe një problem se ne e kemi të ndaluar prononcimet në media për raste specifike. Ne duhet të jemi pak të fshehtë, që të mos e kuptojnë kur të shkojmë. Nuk duhet ta dinë që ne do të shkojmë t’i kontrollojmë. Zakonisht kështu funksionon. Asnjëri nuk e merr vesh. Ne shkojmë papritur.