Filmi i ri i regjisorit danez Thomas Vinterberg është hiç më pak se një tragjikomedi modeste për kënaqësitë (banale) e t’u bërit dhogë. “Anther Round” ka për protagonistë katër meso-burra, mësues në gjimnaz të cilët përmes një eskperimenti duan të gjallërojnë jetën e tyre të mërzitshme deri në vdekje. Nëse nuk e keni dëgjuar ndonjëhere emrin e regjisorit, fjalia më lart përshkruan premisat e një ‘The Hangover’-i, ama nëse e njihni punën e tij, e dini që do të jetë diçka e errët dhe satirike si tek ‘Celebration’ apo ‘The Hunt’ një ekspoze e ndodhive të ekzistencës borgjeze. Ky film i çuditshëm nuk është as farsë as provokim moralist. Është i ëmbël deri në tepri.
Xhiruar me një lloj empatie “Another Round” ka për protagonist Mads Mikkelsen i cili luan Martinin, martesa e të cilit po shkërmoqet dita ditës. Ai dhe shokët e tij Tomi (Thomas Bo Larsen), Piteri (Lars Ranthe) dhe Nikolaji (Magnus Millang) janë në një moshë ‘delikate’, burrërorë dhe fëminorë njëkohësisht. Kur në një darkë Martin fillon të qajë i brengosur, miqtë i kujtojnë kohët e tij të arta – kur kërcente si balerin jazz-i dhe kur jetën e merrte me gëzim; Ky është ngacmimi për të testuar një eksperiment: që organizmi i njeriut mund të përballojë më shumë alkool nga ç’thotë rregullorja – dhe se ‘performanca’ e tij në shoqëri avantazhohet nga të qënit pishëm.
Një teke vodka para orës së mësimit dhe nga një klasë e mërzitshme historie kthehet në një skenë ekzotike holliwood-i me histori të alkoolizmit të Winston Churchill. E kështu të katërt fillojnë të pijnë fshehurazi – me disa rregulla strikte të diktuara nga Hemingway (jo alkool pas orës 20:00) dhe të ngjashmit e tij. ‘Another Round’ sado njerëzor qëndron pak larg realitetit – kjo si barrë e të përmbledhurit të historisë në pak minuta. Mishmashi i absurdit përmes regjisë se Vinterberg dhe performancave improvizuese të ansamblit fantastik të aktorëve sidoqoftë vjen si musht artistik. Vinterberg u bë i njohur në thuajse të njëjtën kohë me Lars Von Trier, fillimet e viteve 1990 për themelimin e Dogme 95. Por kthesa për ‘Another Round’ është 180* (imagjoni përdorimin e kolonën zanore të tij në një film të manifestit Dogme 95 – e pamundur) ose mbase 170* duke gjykuar estetikë ne lëvizjes së kameras së Sturla Brandth Grovlen.
Vinterberg e përdor aq bukur të shkuarën prej balerini të Mikkelsen i cili shkëlqen edhe më (nëse kjo mund të ishte e mundur për aktorin) Papashikueshmëria, papritshmëria dhe e gjithë joshja e ndjesisë të së pirit e bëjnë këtë film si një ‘hangover intelektual’ – një lloj katarsisi për kohët që jetojmë, duke përfunduar në retiçencë sepse ajo që po shohim është një copëz nga e tashmja, e cila nesër vazhdon, me shpresë që do jetë më pak gri nga sa filloi.