Anne Heche u nda nga jeta mbrëmjen e kaluar në një spital në Los Angeles, një javë pas aksidentit famëkeq me makinë. Lajmi u konfirmua nga një përfaqësues i familjes së saj për mediat e huaja, ku në deklaratë thuhej:
Kemi humbur një dritë të ndritshme, një shpirt të sjellshëm dhe më të gëzuar, një nënë të dashur dhe një mike besnike. Anne do të na mungojë shumë, por shpirti i saj jeton përmes djemve të saj të bukur dhe punës së saj ikonike. Guximi i saj për të qëndruar gjithmonë në të vërtetën e saj, duke përhapur mesazhin e saj të dashurisë dhe pranimit, do të vazhdojë të ketë një ndikim të madh.
Të premten në mbrëmje, djali i madh i Heche, Homer, 20 vjeç, lëshoi një deklaratë në emër të tij dhe të gjysmëvëllait të tij, Atlas, 13 vjeç. Ai u shpreh:
Vëllai im Atlas dhe unë humbëm nënën tonë. Pas gjashtë ditësh të lëkundjeve emocionale pothuajse të pabesueshme, unë kam mbetur me një trishtim të thellë dhe pa fjalë. Shpresoj që nëna ime të jetë e lirë nga dhimbja dhe të fillojë të eksplorojë atë që më pëlqen të imagjinoj si lirinë e saj të përjetshme. Gjatë atyre gjashtë ditëve, mijëra miq, familjar dhe fansa më dhuruan ngrohtësi. Unë jam mirënjohës për dashurinë e tyre, siç jam për mbështetjen e babait tim, Coley dhe njerkës sime Alexi, të cilët vazhdojnë të jenë mbështetja ime gjatë kësaj kohe. Pusho në paqe mami, të dua!
Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angeles ka njoftuar në një deklaratë se u deshën 59 zjarrfikës për të shuar zjarrin për më shumë se një orë. Automjeti i saj po udhëtonte me shpejtësi të madhe kur doli nga rruga dhe u përplas me një banesë, ka thënë për “CNN”, Jeff Lee, Zyrtari i Informacionit Publik të Policisë së Los Angeles. Heche, e cila ishte në gjendje kritike, u dërgua në një spital nga ekipi paramjekësor i Departamentit të Zjarrfikësve.
Heche, së fundmi luajti në filmin aksion “13 Minutes”, në të cilin ajo luajti së bashku me Thora Birch, Amy Smart dhe Will Peltz. Ajo kaloi një divorc publik në janar 2018 nga ish-bashkëshorti i saj, James Tupper. Çifti ishte së bashku për 10 vjet dhe kanë një djalë, Atlas. Ajo ishte e njohur edhe për romancën e saj me Ellen DeGeneres në vitet 1990.