Një anije që dyshohet e ngarkuar me sasi të madhe të mbetjeve të rrezikshme, sot u ankorua në portin e Durrësit ku prokurorët kanë urdhëruar që të kontrollohet e testohet. Mjeti lundrues me flamur turk, Moliva XA443A qëndroi rreth 1.5 kilometra larg portit më të madh të vendit në pritje që autoritetet të gjenin një hapësirë për vendosjen e kontejnerëve. Pritet që ato të dërgohen në një agjenci në Porto Romano, rreth 6 kilometra larg.
Para 10 ditëve, prokurorët urdhëruan që kontejnerët të konfiskoheshin e të ruheshin “në një vend të sigurt” për monitorim. Institucioneve të ndryshme iu kërkua të kryenin teste laboratorike lidhur me materialin që përmbajnë. Dyshimet për mbetje të rrezikshme në anijen që fillimisht u nis nga Shqipëria drejt Tajlandës, i ngriti Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN). Më 28 tetor, Jim Puckett, kreu i BAN-it, iu tha gazetarëve në Durrës se në anije janë “2.102 tonë mbetje të rrezikshme”.
Pati shumë deklarata mbi këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme ndërsa ne themi që jemi 95% të sigurt që janë.
Besohet se janë mbetje të krijuara gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i kompanisë turke “Kurum International”, në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Më 21 gusht, Prokuroria e Durrësit dhe Zyra Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), nisën hetimet. Disa herë, qeveria shqiptare ka thënë se lajmet për “transportim të mbetjeve të rrezikshme” janë “aludime”. Kryeministri Edi Rama, pati thënë se nga Shqipëria nuk janë transportuar mbetje të rrezikshme në Tajlandë apo Kinë.
Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruar si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve europiane përmes linjave ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e Bashkimit Europian, ku janë ndaluar dhe magazinuar përkohësisht por u lejuan të vijojnë itinerarin.
Sipas qeverisë, “operatorët ekonomikë në Shqipëri dhe Kosovë janë përgjegjës për kontejnerët”, pa përmendur specifikisht emra. Në anën tjetër, opozita shprehet se “kompania “Kurum International” shkeli ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon ndërsa kompania “Sokolaj” shkeli ligjin, lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme”.