Tech

Ankesat e para për kufjet Apple Vision Pro!

Apple deri më tani ka pranuar porosi për 200 mijë njësi të kufjeve Vision Pro në SHBA, përgjatë një periudhe 10-ditore. Kufjet e avancuara me teknologji VR, kanë qenë të disponueshme për t’u porositur online, por shitja e tyre në dyqanet e Apple pritet të fillojë në SHBA nga data 2 shkurt. Lançimi i këtyre kufjeve vjen tetë muaj pasi u prezantuan nga gjiganti teknologjik në konferencën WWDC 2023. Këto kufje, do të sjellin revolucion teknologjik pasi për shumicën mund të jenë teknologji e paeksploruar. Vision Pro ka të integruar teknologjinë e realitetit virtual dhe realitetit të përzier.

Së fundmi disa përdorues të Apple Vision Pro kanë një ankesë për këtë pajisje. Kur vendosim këto pajisje në kokë, ne do të shohim ekranet digjitale para nesh dhe mund të ndërveprojmë me to sikurse me aplikacionet në telefon. Përveç ekranve të ‘padukshme’ për të tjerë, ne gjithashtu përmes pajisjeve mund të shohim botën e jashtme, në mënyrë që të “mos rrëzohemi rrugës”.

Sidoqoftë, ndonëse kjo teknologji është mjaft impresionuese, ne jemi mësuar të mbështetemi tek smartfonët për shumë gjëra në jetën e përditshme. Kështu, përdorues të shumtë në rrjetet sociale, janë ankuar se kur përdorin telefonat e tyre me pajisjet Vision Pro pamja iu shfaqet e turbullt. “Mund të lexojmë, por jo në mënyrë të përkryer”,-shkroi njëri. “Vetëm pasi mbaj telefonin pa lëvizur mund të rregullohet diçka”. Kufjet Apple Vision Pro u prezantuan në qershor të vitit të kaluar në Konferencën Botërore të Zhvilluesve (WWDC) 2023. Pajisjet kanë teknologji të realitetit të shtuar (AR) dhe realitetit virtual (VR) dhe funksionojnë me sistemin operativ visionOS.