Bota

Anije me ndihma ushqimore për Gazën, testohet dërgimi i tyre për popullatën në prag urie!

Një anije e mbushur me ushqime sot ka mbërritur në bregdetin e Rripit të Gazës, siç raporton agjencia e lajmeve Reuters. Dërgimi i mjetit lundrues nga Qipro u bë për të testuar dërgimin e ndihmave humanitare përmes detit në enklavën e rrënuar palestineze dhe që është në prag urie absolute, pas një fushate ushtarake pesëmujore që vijon nga Izraeli, nga toka, ajri dhe deti.

Anija me rreth 200 tonë ushqim pritet të shkarkohet në një pjesë të posaçme që po përgatitet në Gaza. Së shpejti pritet të nisë lundrimin edhe anija e dytë me ndihma. Për momentin, nuk ka shumë hollësi se si do të bëhet dërgimi dhe shpërndarja e ndihmave pasi anija të jetë shkarkuar në bregdetin e Gazës. Agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se ka shumë pengesa për dërgimin e ndihmave te njerëzit në nevojë.

Nëse rruga e re detare është e suksesshme, nuk ka dyshime se do të ndihmojë në lehtësimin e krizës së urisë në Gaza, aty ku shumica e popullit po përballet me kequshqyerje. Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

Në fillim të marsit, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeç në veri të Gazës, po përballet me kequshqyerje akute.

Në javët e fundit, të paktën 15 fëmijë kanë gjetur vdekjen si pasojë e kequshqyerjes dhe nga mungesa e hidratimit në spitalin Kamal Adwan, në veri të Gazës.

Kjo u raportua nga Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi, grupi radikal palestinez, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit sulmuan të parët dhe hynë me komando të armatosura në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe rrëmbyen 250 persona. Izraeli tha se ky ishte 11 shtatori i tyre, referuar sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Amerikë nga Al-Kaeda.

Sipas autoriteteve palestineze, më shumë se 31 mijë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit.