Aktualitet

Anija “Molive” në Durrës, Rrjeti i Bazelit: 90% të sigurt se ka mbetje toksike!

Në një deklaratë për media nga Porti i Durrësit, Jim Pocket, drejtor i Rrjetit të Bazelit, foli për anijen që dyshohet se ka mbetje toksike dhe pret të ankorohet pasi fillimisht u mbajt 1 km larg bregut me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Rrjeti i Bazelit është një organizatë ndërkombëtare që merret me menaxhimin dhe kontrollin e transportit të mbetjeve të rrezikshme e të tjerave, përtej kufijve.

Jemi këtu me rastin e arritjes së “Molive”-s që besojmë se ka 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara toksike. Kjo anije vjen nga Singapori. Presim të ankorohet pasdite. Ishim lajmëruar se do të vinte në mëngjes në orën 08:00 por nga autoritetet u kërkua të mbahet një kilometër larg bregut. Besojmë se pasdite ankorohet, por nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë më pas. Shpresoj që skuadra që po ndjek hetimet, të jetë e pranishme kur anija të ankorohet. Jemi në dijeni se ka një procedim penal nga Prokuroria për këtë çështje dhe shpresojmë që prokurorët të jenë këtu kur të vijë anija.

Shpresojmë që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në transparencë me publikun e çdo gjë të skanohet e analizohet. Ka patur shumë polemika për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje toksike, por jemi 90% të sigurt se ka mbetje toksike. Presim një analizë të plotë nga organet kompetente.

Jam 100% i sigurt se kjo ngarkesë nuk duhej të transportohej në Tajlandë. Ne kemi shkuar te fabrika në Tajlandë dhe e kemi parë atje. Kemi bërë ekzaminimet tona në fabrikë dhe kemi gjetur mbetje toksike të rrezikshme, arsenik e plumb. Kemi marrë edhe pluhurin dhe e kemi investiguar. Niveli i kontaminimit ka qenë edhe më i lartë se ai i gjetur nga Kombet e Bashkuara në kompaninë e çelikut në Elbasan, një nga hotspotet në Shqipëri, ku ne besojmë se e ka origjinën kjo ngarkesë. Janë bërë të gjitha vëzhgimet e nevojshme.

Sot ka një takim me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, për të diskutuar më tej. Ne shpresojmë që ministria të na japë të drejtë për të marrë një kampion nga kontejnerët, për të kryer analizat tona. Duam të marrim kampionë edhe nga kompania në Elbasan e t’i krahasojmë.

I pyetur mbi origjinën e mbetjeve, Pocket u shpreh:

Ne nuk jemi 100% të sigurtë për origjinën e mbetjeve. Ne besojmë se me shumë mundësi, “Kurumi” në Elbasan është origjina. Ajo që kemi dëgjuar është që “Kurumi” e ka shitur sasinë e mbetjeve tek një broker dhe ky broker, më tej e ka eksportuar. Por nuk jemi absolutisht të sigurt, pasi ka zëra që mund të ketë ardhur edhe nga jashtë vendit. Ka zëra që mund të kenë ardhur nga Kosova apo nga Gjermania. Prandaj na duhet të bëjmë testet për të gjurmuar plotësisht se nga është origjina e këtyre mbetjeve.