Rajoni

Anija me mbetjet toksike, reagon Dogana e Kosovës: “Është e vështirë të përcaktojmë saktësinë e rrjedhës së ngjarjeve, nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme”!

Dogana e Kosovës ka reaguar në lidhje me anijen me mbetje toksike, çështje për të cilën Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet. Dogana e Kosovës thotë në deklaratë:

Dogana e Shqipërisë i ka referuar këto mallra si koncentrat zinku, të eksportuara nga një kompani e regjistruar në Kosovë drejt një kompanie zvicerane. Duke qenë se Dogana e Kosovës nuk ka qasje në ndonjë raport zyrtar është e vështirë të përcaktojmë saktësinë e rrjedhës së ngjarjeve, përderisa nga kërkimi në të dhënat tona të eksportit, kemi konstatuar se:

– Nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme që i përgjigjen dërgesave të natyrës së atyre të raportuara në media.
– Janë identifikuar eksporte qe referohen në deklaratën për media nga Dogana e Shqipërisë, dhe produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Për këtë produkt pronari i subjektit eksportues ka ofruar test raportet nga kompania e mirënjohur e testimeve te industrisë SGS”, thuhet nga Dogana e Kosovës.
Tutje nga ky institucion thuhet se koncentratet e zinkut janë të nxjerra nga miniera e Trepçës dhe janë eksportuar në vazhdimësi.
“Koncentratet e zinkut janë eksportuar në vazhdimësi dhe për dallim nga raportimi i mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për mbetje (electric arc furnace dust siq i referohet Bloomberg), por për koncentrat zinku të nxjerrë nga Trepça”.

Më tej, dogana shtoi:

Ky institucion thotë se produkti koncentrat zinku i eksportuar ka përbërje të koncentruar të Zinkut (Zn), Hekurit (Fe), Plumbit (Pb) etj, dhe si i tillë nuk klasifikohet si mbetje. Legjislacioni që rrjedhë nga Konventa e Bazelit për Mbetjet e Rrezikshme aplikohet tek mbetjet dhe jo tek lënda e parë që eksportohet. Eksporte te ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme.

Dogana e Kosovës thotë ka hapur një hetim të gjerë mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha çështjet relevante me këto dërgesa dhe do të mbajë të njoftuar publikun.