Ka përfunduar verifikimi i 8 emigrantëve nga Egjipti dhe Bangladeshi në qendrën pritëse të Shëngjinit, të cilët erdhën mëngjesin e kësaj të premteje me anijen “Libra” rreth orës 7:30.
Sipas mediave italiane, një nga tetë emigrantët, është përfshirë në kategorinë e njerëzve me probleme shëndetësore. Refugjati më pas do të dërgohet në Itali, në Brindizi, nga e njëjta anije e Marinës Detare Italiane.
Ndërsa 7 të tjerët mësohet se janë transferuar mbrëmjen e të premtes në kampin e Gjadrit, aty ku do të ndiqen edhe procedurat e tjera të rastit për shqyrtimin e azilit.
Aty ata do të presin vendimin e autoriteteve italiane për kërkesën për azil, por gjasat i kanë të pakta pasi Egjipti dhe Bangladeshi janë përfshirë në listën e Vendeve të Sigurta nga Italia.
Kjo është hera e dytë që anija patrulluese e marinës italiane “Libra” ka marrë rrugën drejt Shqipërisë, për të zbarkuar këtë herë në portin e Shëngjinit, me 8 emigrantë të kapur disa ditë më parë në jug të Lampedusës.
Operacioni zhvillua nën masa të sigurie, të karabinierëve italianë dhe policisë shqiptare. Grupi i parë i emigrantëve të cilët mbërritën më 16 tetor qëndruan vetëm tre ditë në Shqipëri, pasi Gjykata e Romës detyroi Italinë të kthejë mbrapsht kontigjentin e azilkërkuesve sepse nuk vinin nga vende të sigurta.
Pas vendimit të Gjykatës së Romës për ndalimin e dërgimit të emigrantëve në Shqipëri dhe kthimin e tyre në Itali, Këshilli i Ministrave në Itali ka miratuar një dekret ligjor për këtë çështje.
Masa synon të kapërcejë ngërçin e krijuar nga vendimi i gjyqtarëve për të mos vleftësuar mbajtjen e disa azilkërkuesve në qendrën e pritjes së Gjadrit për shkak se vijnë nga vende të pasigurta.
Shoqatat e Azilit dhe Emigracionit (TAI), janë me mision në Shqipëri me Grupin Parlamentar të Kontaktit.
Misioni monitorues përfshin vizita në qendrat e pritjes në Shëngjin për të verifikuar kushtet materiale të ndalimit (hapësira banimi, tualete, akses në hapësira të hapura), respektimin e procedurave ligjore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë mundësinë që migrantët të zgjedhin një avokat dhe të marrin informacion në gjuhën e tyre legjitimitetin e procesit të përzgjedhjes dhe mbajtjes.