Aktualitet

Anglia, nisma që të rinjtë në veri të qëndrojnë në Shqipëri

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka organizuar një tur tre ditor në veri të Shqipërisë, për rritjen e investimeve për të rinjtë, në mënyrë që ata të krijojnë të ardhmen në vendlindjen e tyre.

Ditën e djeshme ata vizituan Kukësin, ndërsa sot dhe nesër do të jetë në Tropojë. Në një njoftim Ambasada thotë se “po dëshmojmë partneritetin e fortë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë përmes mbështetjes britanike për të ardhmen e veriut të Shqipërisë duke u fokusuar tek të rinjtë.”

Ky tur i Ambasadës nxjerr në pah nismat e rëndësishme të financuara nga Mbretëria e Bashkuar në këtë rajon, të cilat përqëndrohen në nxitjen e inovacionit, arsimit, sipërmarmarrjes dhe krijimit të vendeve të punës. Banorët do të mësojnë për mundësitë për të marrë pjesë aktive në këto nisma.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott tha gjatë vizitës së tij në Kukës: “Mbrëtëria e Bashkuar është partneri juaj për rritjen ekonomike dhe sipërmarrjen. Ne besojmë në potencialin e Shqipërisë dhe jemi të angazhuar të punojmë me ju si Partnerë për Përparim.”

Si pjesë e këtij turi, Ambasada Britanike thekson gjithashtu edhe suksesin e pesë të rinjve, të cilët kanë vendosur ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, duke treguar ndikimin pozitiv të bashkëpunimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Top Channel