Aktualitet

Angela Merkel më 14 shtator në Tiranë, mediat serbe zbardhin detaje nga vizita e Kancelares!

Kancelarja gjermane Angela Merkel pritet të vizitojë javën e ardhshme më, 13 dhe 14 shtator, Beogradin dhe Tiranën. Merkel pritet të vizitojë Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit.

Media e rëndësishme serbe alo.rs ka zbuluar sot detaje të rëndësishme mbi këtë vizitë të Kancelares pak ditë para largimit nga posti i saj pas 16 vitesh si një prej njerëzve më me pushtet në botë.

‘Alo’ shkruan se Merkel do të zbresë më 13 shtator në kryeqytetin serb dhe do të zhvillojë aty një takim me presidentin Aleksandër Vuçiç. Mësohet se temat kryesore të takimit do të jenë çështjet dypalëshe, çështjet ekonomike dhe integrimi në Bashkimin Evropian.

Ndërsa më 14 shtator Kancelarja e Gjermanisë do të zbarkojë në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Media serbe shkruan se temat e bisedës do të jenë të njëjta si në takimin me Vuçiçin, teksa pas kësaj bisede ajo do të jetë e pranishme në një darkë të përbashkët me krerët e qeverive të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër edhe të Procesit të Berlinit.

Kujtojmë se samiti i fundit i Berlinit është zhvilluar online në datën 5 korrik. Në këtë samit Kryeministri Edi Rama u tregua i ashpër dhe me kritika të drejtpërdrejta në lidhje me liderët e e BE, ku tha nacionalizmat e vendeve të tyre po vështirësojnë shumë rrugën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më 22 qershor 2021 Shqipëria u bllokua në hapjen e negociatave pikërisht për shkak të vetos që Bullgaria i ka bërë Maqedonisë së Veriut, pasi integrimi i dy vendeve në BE do të bëhet së bashku. Rama përmendi edhe diferencat që kanë vendet e BE me ato të Ballkanit për sa i përket fondeve që përfitojnë.

Lidhur me këta kritika vetë kancelarja Merkel i tha Ramës së kanë komunikuar në telefon dhe shpreson shumë që të bëhet progres në lidhje me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Merkel theksoi se një bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit është i nevojshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Merkel bëri të ditur se Gjermania do të ndajë 3 milionë doza të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfitojnë Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Çfarë është procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014, i cili më pas u përshëndet dhe u mbështet edhe nga Parisi zyrtar. Procesi ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.