Aktualitet

Anëtare e organizatës kriminale, pranga 45 vjeçares nga Durrësi!

E kërkuar në Itali për trafik narkotikësh, si pjesë e një organizate kriminale, Policia e Shtetit arrestoi një 45 vjeçare nga Durrësi pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore. Shtetasja Edisnarda e njohur ndryshe edhe si Edisnajda Shapka u kap në qytetin bregdetar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 19”. Tashmë pritet ekstradimi në vendin fqinj ku Gjykata e Bolonjës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Në njoftimin zyrtar të bluve, thuhet: 

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore për vendndodhjen e një shtetaseje të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 19”, kapi në qytetin e Durrësit dhe vuri në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasen E.Sh., alias E.Sh., 45 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës.

Gjykata e Bolonjës i ka caktuar kësaj shtetaseje masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetase në Itali.