Të ftuar ditën e sotme në “Pardon My French” ishin Landi dhe Miri të njohur ndryshe si grupi shumë i dashur “West Side Family”. Dyshja dha një intervistë speciale, ku folën për jetën personale dhe atë profesionale. Një pjesë shumë e rëndësishme e intervistës ndërkohë, ishte teksa u fol për të ndjerin Dr. Florin.
“Komshia” është starti pa Florin, pavarësisht se ai është atje me frymën, por është pa zërin e tij. Ka shkuar mirë, jashtë parashikimeve tona.
Por a e mendon dyshja idenë e një anëtari të ri në grup, apo dëshirojnë të mbesin vetëm ata të dy?! Përgjigjen na e japin vetë ata në TAR.
Ne jemi themeluar tre, ai ka qenë rregulli i artë që ne kemi funksionuar në perfeksion. Nuk e zëvëndëson askush Dr. Florin. Në skenë është e vështirë të bëhemi tre, por bashkëpunime mund të kemi. Kemi diskutuar disa. Por duam që të jetë një fabulë, që gjëja të vijë organike.
Më tej, dyshja foli për suksesin e tyre në gjithë këto vite, duke theksuar çfarë ishte pikërisht çelësi i këtij suksesi.
Në “West Side Family” kemi patur talentin, pasionin, punën e paçmuar, gjithëpërfshirjen. Këto elemente kanë sjellë zhvillimin e vazhdueshëm. Ka 25 vite që mendonim të punonim në këtë lloj dimensioni.
Dyshja më tej foli edhe për marrëdhënien e mrekullueshme me fëmijët e tyre. Ata treguan detaje emocionuese nga përditshmëria me ta. Ndërkohë, mesazhi që “West Side Family” dha në TAR, ishte kryesisht t’i rikthehemi përditshmërisë dhe normalitetit në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo të vijë sa më organike.