Aktualitet Art & Kulturë

Andy Warhol në Galerinë e Artit Tiranë, kryebashkiaku Veliaj: Mos e humbisni!

Prej katër ditësh, në muret e Galerisë së Artit të Tiranës janë ekspozuar 39 vepra që ofrojnë një shëtitje në botën e ikonës së Pop Art-it, Andy Warhol. Ekspozitën e vizitoi edhe kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili tha se “Tirana është kthyer në pikë e rëndësishme pritëse e artit të mirëfilltë bashkëkohor”.

Tirana është bërë epiqendra e gjërave të bukura që ndodhin në rajonin tonë, me art, kulturë dhe koncerte. Sot jetojmë një kohë kur në Tiranë po vjen e gjithë bota. Për ata që i kanë parë shumë nga riprodhimet e Andy Warhol-it në kabinat elektrike të qytetit, për ta bërë artin pak më miqësor me fëmijët, tani kanë mundësinë të shohin 39 vepra të mirëfillta të artistit në Tiranë. Sot ky qytet nuk jeton vetëm me turizëm, me IT, por jeton edhe me art e kulturë.

Veliaj vuri në dukje se sot, Tirana ka kalendarin më të dendur artistiko-kulturor në të gjithë rajonin.

Ky fakt na bën të ndihemi vërtet krenarë. Sot në Tiranë është sfidë të zgjedhësh se çfarë do të bësh më parë në mbrëmje. Mund të vish te ekspozita e Andy Warhol-it, mund të shkosh te festivali te Kinema “Agimi”, mund të shkosh te festivali tjetër te “Reja”, mund të shkosh te kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, mund të ndjekësh aktivitete pa fund në sheshin “Skënderbej”. Askush nuk ka çfarë të thotë për mungesën e ofertës. Ndoshta kemi menunë më të gjerë dhe më të gjatë të aktiviteteve.

Për të gjithë artdashësit, kreu i Bashkisë Tiranë kishte një ftesë për të vizituar ekspozitën:

Më vjen mirë që kemi pasur një fluks jo vetëm të turizmit, që sigurisht vijnë nga vende ku njihet arti bashkëkohor e ndoshta kanë qenë shumë herë më të hapura se ne, edhe para viteve ‘90. Por, më vjen mirë që për ekspozitën kanë treguar interes shkollat dhe universitetet, për të provuar një shije të asaj që vlonte në vitet ‘80-90 në të gjithë botën, kur fatkeqësisht, ne ishim të izoluar. Ndaj, ftesa për të gjithë është: Mos e lini për më vonë! Ne do të jemi hapur deri në datën 5 gusht.

Për herë të parë ka ardhur në Ballkan e për publikun shqiptar, një ekspozitë e Pop Art-it me 39 vepra origjinale të artistit Andy Warhol, figurë emblematike e skenës së artit amerikan në shekullin XX dhe përfaqësuesi më tipik i Pop Art-it.