Karlo Ançeloti beson se Reali i Madridit ka organikë më të mirë sesa vitin e kaluar dhe do të tentojë patjetër që të shkojë në fund të këtij kompeticioni për ta fituar. Numri një i “Galaktikëve” e konsideron Champions-in e ri shumë ndryshe nga ai i vjetri dhe ku ekipi duhet të bëjë gjithçka për të nderuar statusin e kampionit.
VINICIUS- “Ai festoi në atë mënyrë sepse gjithmonë ka pasur kritika të shumta dhe ofendime. Është normale që edhe lojtari të mos jetë i kënaqur me këtë situatë. Ajo që ka ndodhur me Viniciusin gjatë këtyre viteve nuk ka qenë aspak e drejtë. Nuk duhet të merremi shumë me një lojtar të ri, por ndoshta edhe me sjelljen nëpër stadiume”.
RIKTHIMET- “Bellingham është mirë, ashtu si Tçuameni dhe Militao, i cili nuk është stërvitur. Militao ka nevojë për më shumë rikuperim dhe dua t’i jap ndonjë ditë më shumë. Do të jetë gati në 100%”.
FAVORITËT- “Ndryshon formati, por skuadrat favorite janë gjithmonë të njëjtat duke përfshirë edhe Realin e Madridit. Ka edhe skuadra të tjera patjetër. Ky Champions do të jetë një tjetër histori. Shpresoj që të përsërisim vitin e kaluar”.
PRITSHMËRITË- “Unë sigurisht që jam i karikuar në maksimum ashtu si në Champions-in e parë që kam luajtur. Edhe për mua është special, jo vetëm për klubin. E shoh veten shumë të qetë sepse çdo ditë ka probleme dhe duhen zgjidhur”.
BILANCI- “Mund të kishim ndonjë pikë më shumë në La Liga, por jemi aty ku duhet të ishim. Ne kemi fituar titullin e parë sezonal dhe tani sigurisht që do të kemi probleme sepse shumë lojtarë erdhën në 9 gusht. Po rritemi, por duhet të përmirësohemi”.