Analistët vlerësojnë se qeveria e re e Malit të Zi që premtoi integrimin e shpejtë në Bashkimin Europian dhe frenimin e ndikimit rus, nuk arriti të përmbushë asnjë nga synimet. Përkundrazi, ata thonë se shumicën parlamentare e përbëjnë strukturat pro-serbe, që në asnjë drejtim nuk e favorizojnë politikën zyrtare të Malit të Zi.
Për Zërin e Amerikës, analisti dhe publicisti, Gjokë Dukaj tha se shumicën parlamentare e përbëjnë strukturat pro-serbe, të cilat në asnjë drejtim nuk e favorizojnë politikën zyrtare të Malit të Zi.
Duke marrë parasysh se shumicën parlamentare e përbëjnë strukturat, të cilat në vazhdimësi janë deklaruar si pro-serbe me orientim që nuk i shkon në favor politikës zyrtare të Malit të Zi, atëherë duhet pranuar se kjo e dëmton imazhin e disa të arriturave, sidomos nga ekzekutivi në Malin e Zi.
Analisti dhe ish-kryeredaktori i disa mediave malazeze, Xhevdet Pepiç, ndërrimin e pushtetit e sheh si diçka pozitive, por në rastin e Malit të Zi nuk funksionoi.
Eshtë mëse e nevojshme që pushtetet të ndërrohen, por në rastin e Malit të Zi asgjë nuk ka ndryshuar. Me këtë ndryshim kemi arritur në një situatë ku vlerat etno-nacionaliste dhe fetare çmohen më shumë se pikëpamjet qytetare. Me ndryshimin e pushtetit, humbësit më të mëdhenj janë qytetarët e këtij vendi.
Si pasojë e këtyre ndryshimeve, sot nuk respektohen as simbolet shtetërore nga disa zyrtarë të lartë malazezë. Këtë veprim, analistët e shohin si një përpjekje për të minuar pavarësinë e Malit të Zi.
Ky veprim nuk është i sinqertë, sepse të jesh në një post të lartë shtetëror e mos i respektosh simbolet e atij shteti, nuk është e kuptueshme. Mirëpo, mendoj se kjo bëhet për qëllime populiste e për ta minimizuar shtetësinë e Malit të Zi, tha Pepiç.
Në këtë kuadër, analisti Dukaj vlerëson se mosrespektimi i simboleve shtetërore nga zyrtarë të lartë malazezë është në dëm të politikës aktuale në Malin e Zi.
Disa zyrtarë që mbajnë funksione të larta shtetërore, nuk e respektojnë përdorimin e simboleve shtetërore dhe mungesa e reagimit ndaj këtyre zyrtarëve, nuk është optimiste për të ardhmen politike të Malit të Zi.
Analistët vlerësojnë se Mali i Zi, 4 vite pas ndërrimit të pushtetit është i ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit, çka po ndikon në ndërtimin e një demokracie të qartë e të qëndrueshme.