Aktualitet

Analiza e sulmit ndaj TCH, kryepolici Rrumbullaku mbledh strukturat e krimeve/BE kërkon hetim të shpejtë!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mblodhi strukturat e krimeve për të analizuar detajet e sulmit me armë zjarri ndaj mjediseve të jashtme të Top Channel në Mëzez, ku në krye të detyrës humbi jetën punonjësi i sigurisë, Pal Kola 60-vjeç.

Ndërkaq, për emisionin “Shqipëria Live”, kryeredaktori i lajmeve në TCH, Altin Kreka tha se “sulmi ishte një akt i mirëmenduar, për të terrorizuar”.

Eshtë ngjarje e mirëmenduar. Autorët kanë gjetur makinën, kanë vjedhur targat, kanë investuar para’ për këtë sulm. Duket që është akt terrorist për të dhënë një mesazh. Mesazh për të heshtur, për të intimiduar.

Kryeredaktori thekson se asgjë nga këto që ndodhi, nuk e tremb Top Channel. Por, ngjarja mund të ishte më tragjike pasi në godinë gjendeshin dhjetëra punonjës.

Fatkeqësisht humbi jetën babai i tre fëmijëve. Ngjarja mund të ishte më e rëndë. Pak para se të ndodhte ishte stafi i lajmeve të edicionit të mesnatës. Pak minuta më pas ka qenë një tjetër staf që edhe njoftoi për ngjarjen.

Ta shohësh vendin tënd të punës vendngjarje është një gjë që nuk ia uroj asnjë kolegu. Falënderoj kolegët që reaguan për këtë ngjarje!

U bë për të terrorizuar, qëllimi tyre ishte terrori. Terrori është dhe me vrasje dhe me intimidim. Në atë orë të natës, në godinën tonë ka shumë njerëz që punojnë. Ai që e ka bërë nuk e ka menduar që godina do të ishte bosh. Aty ka qenë stafi i lajmeve, stafi teknik, regjia, siguria.

Ashtu si ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe e OSBE-së, edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë dënoi sulmin. BE rikujton se “sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen”.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri dënon sulmin me armë zjarri në mjediset e Top Channel dhe i shpreh ngushëllimet e thella familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, rojes së sigurisë që mbeti i vrarë në sulm. U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të shpejtë e të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen.

Prej orëve të para të mëngjesit, të shumta kanë qenë reagimet e drejtuesve të shtetit, institucioneve, politikës, organizatave mediatike brenda e jashtë vendit, si dhe ndërkombëtarëve, të bashkuar në dënimin e sulmit ndaj Top Channel dhe apelin për hetim të shpejtë e profesional.