Bota

Analistët parashikojnë garë të ngushtë Trump-Harris!

“Gara presidenciale amerikane mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris, nëse kjo e fundit konfirmohet do të jetë e ngushtë”. Kështu parashikon Thomas Gift, drejtor i Qendrës për politikat amerikane në Kolegjin Universitar të Londrës. Në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”, thekson se rezultati do të varet nga një përqindje e vogël votash në shtetet si: Ohajo, Pensilvania, Miçigani, Uiskonsini, Xhorxhia e Arizona.

Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Kjo pas presionit të fortë nga zyrtarë demokratë, që kanë humbur besimin te aftësia e tij për të mundur rivalin Donald Trump, çka nisi të evidentohej në debatin televiziv të fundit të qershorit. Biden tha se mbështet zv.presidenten Kamala Harris për presidencialet e nëntorit.

Ka qenë nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si president, u shpreh Biden, duke paralajmëruar se do të flasë më shumë gjatë javës lidhur me këtë vendim.

Harris u shpreh e nderuar që gëzon mbështetjen e presidentit aktual, Joe Biden për t’i hyrë garës presidenciale të nëntorit dhe shtoi se synon fitoren. “Do të bëj gjithçka mundem për të bashkuar Partinë Demokrate për të bashkuar kombin tonë, mundur Donald Trumpin dhe axhendën e tij ekstreme “Projekti 2025””, tha Harris.

Pas tërheqjes, Donald Trump e përshkroi Biden-in “si presidentin më të keq deri tani në historinë e vendit. Trump mendon se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të jetë më e lehtë për t’u mundur sa Biden-i, nëse  kandidon përballë tij. Biden e ka mposhtur Trump-in më 2020-ën, duke garantuar fitore në shtetet kritike si Pensilvani, Uiskonsin dhe Miçigan. Optimiste për fitore është edhe Kamala Harris.

Ne kemi 107 ditë deri në të zgjedhjeve. Së bashku do të luftojmë dhe së bashku do të fitojmë!

Konventa e Demokratëve, në të cilën zyrtarisht emërohet kandidati për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbahet më 19-22 gusht në Çikago, Illinois. Nëse zgjidhet si kandidate demokrate, 59-vjeçarja Harris, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për postin e numrit një të Shtëpisë së Bardhë.