Film & Tv Live From Tirana

Amri Hasanlliu flet për rolin e tij në “Legjenda e Bastunit”: “Ka shumë fakte të vërteta…”

Më datë 16 Maj do të jetë premiera e filmat “Legjenda e Bastunit”, një film dramatik me një mesazh dhe domethënie shumë të rëndësishme, me regji të Xhoslin Rama. Ja se për çfarë bën fjalë…

At Pali, shpëton Çeskun e vogël duke e shkolluar në Kolegjin Françeskan të Shkodrës ku ai takon jetimen Sara. Çesku burgoset nga komunistët e zbulon se Sara është ekzekutuar. Ama ai ka një amanet për të përmbushur… Duhet të hedhë bastunin legjendat të At Palit në lumë. Çfarë ndodh më pas, e bën Çeskun të kuptojë se hedhja e Bastunit në lumë nuk ishte thjesht një amanet…

Për të na folur më shumë mbi këtë film, ka qenë i ftuar në “Live From Tirana”, aktori Amri Hasanlliu i cili ka një rol shumë të rëndësishëm tek “Legjenda e Bastunit”, atë të Çeskut të ri. Si kanë qenë emocionet e tij?

Që kur m’u dha roli dhe si informacion që do luaja me Ndriçim Xhepën isha i lumtur. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur, kam qenë pak si në ajër. Jam kënaqur kaq shumë sa nuk di dhe shpresoj që në të ardhmen të kem sërish eksperienca të tilla.

Si të erdhi ftesa për të qenë pjesë e filmit?

Ditën e parë që takova Xhoslin, nuk kam bërë një audicion klasik. Isha sugjerim i një shokut tim, Edvin Mustafa ishte iniciatori i kësaj, më sugjeroi tek ai dhe lamë takim.

A ka qenë e vështirë të përfshihesh në rol?

Gjëja që më ka ndihmuar është intuita dhe imagjinata. Jam shumë kritik ndaj vetes, ndoshta nuk e kam arritur 100% por diku te 80% kam shkuar. Kam bërë bidesa me më të moshuarit që të kisha një perceptim, por prapë është shumë e vështirë që të kthehesh prapa në kohë.

Cilën mund të përkufizosh si skenën më të vështirë gjatë xhirimeve?

Kam pasur një skenë të vështirë, kur vdes një personazh i afërt i Çeskut. Mund të kem bërë diku tek 3-4 dubla. Aty ku mendoja që isha shumë mirë, Xhoslin thotë që ‘e bëjmë edhe njëherë’. Ishte shumë udhëzues, shumë suportues.

Në fund, Amri ka dhe një thirrje për të gjithë publikun që të shkojnë në kinema për të parë “Legjenda e Bastunit”

Nëse jeni të apasionuar pas kinemasë autor, me përmbajtje biografie ose lufte, ejani ta shihni sepse do të përjetoni shumë ndjesi. Ka fakte shumë të vërteta tek ai film.