Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dha detaje për Amnistinë Penale. Me kërkesën e deputetëve të Bashës, në Kuvend u zhvillua një interpelancë ku Enkelejd Aliebaj ngriti pyetjen se kush i bëri propozimet dhe a u konsultuan amendamentet me SPAK-un? Manja tha se nuk e ndjente detyrim t’iu jepte shpjegim atyre që sipas tij nuk e kanë votuar, por sqaroi se amnistia është konsultuar me institucionet e drejtësisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj kërkoi të dhëna konkrete lidhur me përfituesit e dënuar nga GJKKO-ja e që kanë përfituar nga Amnistia Penale. Sipas Alibeajt “më 4 prill, mbi 110 deputetë bashkuan votat për të nxjerrë të korruptuarit nga burgu dhe për të lënë protestuesit në burg”.
Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat, rezulton se nga Amnistia Penale kanë përfituar 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, të cilët përfitojnë falje dënimi, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimi i detyrës, përfitojnë ulje dënimi.
Nga zyrtarët që përfitojnë ulje dënimi, rezultojnë 16 funksionarë publik të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë të dënuar për shkelje të barazisë në tendera, 7 gjyqtarë, prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit, të cilët kanë dalë nga burgu ose kanë përfituar ulje dënimi.
Manja tha se vullneti i qeverisë është shprehur qartë në draftligjin që iu propozua Kuvendit, ku nuk parashikohej amnisti apo ulje dënimi për zyrtarët e lartë nën hetim nga SPAK-u e Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ata që përfituan nga amnistia me ulje dënimi e që ishin dënuar nga GJKKO-ja, janë shtetas të zakonshëm, nëpunës në shërbimin publik, që në mënyrë të detajuar janë 8. Asnjëri prej tyre s’është simbol i korrupsionit. Projektligji u miratua nga kuvendi, ndryshimet në draftligjin e propozuar nga qeveria iu nënshtruan procedurave kuvendore. U bënë diskutime në Komisionin e Ligjeve. Pastaj 116 deputetë dhanë votën pro kësaj amnistie.
Sot që flasim edhe pse është zbatuar amnistia, në IEPV janë 4918 të paraburgosur e të dënuar. Amnistia u bë e domosdoshme nga mbipopullimi, gjendja e rënduar e paraburgimit, shëndeti i të dënuarve, rritja e kostove financiare.
Ministri i Drejtësisë listoi edhe emrat e 8 përfituesve të dënuar nga GJKKO-ja prej Amnistisë Penale. Sipas Manjës, kanë përfituar jo zyrtarë të lartë.
Edmond Z.I, s’e kam idenë çfarë zyrtari ka qenë. I dënuar për Nenin 248. Ka qenë i dënuar 1.4 vite burg i janë falur 13 ditë
Marginglen M. i dënuar me 2 vjet burg për “Shkelje të barazisë në tendera”. I janë falur 5 muaj e 28 ditë.
Marvin M i dënuar me 2 vite, i janë falur 9 muaj e 7 ditë
Admir B, nga 4 vite dënim i janë falur 3 muaj e 25 ditë
Eduard R është dënuar për moskallëzim krimi nga GJKKO-ja. U dënua 3.6 vite burg, iu fal 1 vit burg
Hamza T, i dënuar me 1.2 vite burg i janë falur 4 muaj e 21 ditë
Ibrahim G, i dënuar me 8 muaj burg, i janë falur 26 ditë
Erion B i janë falur 14 ditë
Lulzim Ç është dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, 1 muaj e 8 ditë.