Aktualitet Bota

Amnesty International: Pakistani të ndalë dëbimin e grave dhe vajzave afgane!

Amnesty International i ka bërë thirrje Pakistanit ta ndalë dëbimin e qindra mijëra grave dhe vajzave afgane në shtetin fqinj, Afganistan.

“Dëbimi i refugjatëve afganë nga Pakistani do t’i vërë në rrezik të madh gratë dhe vajzat”, shkroi zyra e Amnesty në Azinë Jugore në rrjetin social X më 27 mars.

Thirrja e grupit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut vjen pasi Pakistani e ka nisur fazën e re të dëbimit të refugjatëve afganë.

Islamabadi synon t’i detyrojë rreth 850.000 refugjatë afganë pa dokumente të kthehen në vendin e tyre muajin e ardhshëm, nëse ata nuk e bëjnë këtë gjë vullnetarisht.

Prej tetorit, Pakistani i ka dëbuar tashmë më shumë se 500.000 afganë, të cilët nuk kishin dokumente të duhura për të qëndruar në këtë vend.

“Kthimi me forcë është shkelje serioze i të drejtave për arsimim, punësim, lëvizje dhe në disa rase, bën që ata të jenë të rrezikuar nga dhuna e pashmangshme”, tha Amnesty.

“Qeveria e Pakistanit duhet ta ndalë plotësisht dëbimin dhe të ndërmarrë masa për sigurinë e grave dhe vajzave afgane”, shtoi ky grup.

Pasi u rikthye në pushtet në gusht 2021, qeveria islamiste talibane në Afganistan ua ka ndaluar vajzave adoleshente dhe grave arsimimin. Grave u është ndaluar gjithashtu edhe punësimi në shumicën e sektorëve.

Gratë afgane duhet patjetër edhe të veshin hixhab – një mbulesë kokë e këmbë – në publik.

Talibanët ua kanë kufizuar skajshëm lëvizjen grave dhe ato detyrohen të shoqërohen nga një familjar burrë kur dalin nga shtëpia.

“Nëse dëbohen, këto gratë dhe vajzat do të përballen me shtypje të të drejtave për arsimim, punë, liri të lëvizjes dhe të tjera”, tha Amnesty.

Pakistani nuk ka ligj i cili mundëson marrjen e statusit të refugjatit. Ai nuk është nënshkrues e Konventës së OKB-së nga viti 1951 për statusin e refugjatëve.