Bota

Amerikë, të paktën 90 viktima nga uragani Helene!

Të patën 90 viktima nga uragani Helene që ka goditur pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara. Autoritetet vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.  “Helene” ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë shkatërrimin e rrugëve dhe urave e vërshime nga Florida në Virxhinia.

Stuhia karakterizohet nga erëra të fuqishme e reshje shiu duke goditur Karolinën e Veriut, atë të Jugut, Xhorxhian, Floridën, Tenesin dhe Virxhinian. Zyrtarët amerikanë shprehen se i tremben mundësisë se do të gjejnë trupa të tjerë të pajetë duke rënduar bilancin e vikimave.

Rrjeti i komunikimit është dëmtuar në shumë zona dhe qindra persona ende nuk kanë mundur të kontaktojnë familjarët e tyre, të cilët i kanë regjistruar si të zhdukur. Dëmet nga stuhia e fuqishme konsiderohen se mund të arrijnë nga 15 miliardë deri në mbi 100 miliardë dollarë. Autoritetet konfirmuan se edhe linjat e rëndësishme të komunikimit e ato të transportit janë dëmtuar.

Por, sipas tyre, vlera reale do të dihet pasi zyrtarët të pastrojnë zonat e prekura e të vlerësojnë dëmet. Në Karolinën e Veriut, pothuajse të gjithë viktimat janë regjistruar në qarkun Bunkombe, ku vdiqën 30 persona, sipas burimeve të emergjencave.

Kjo është një katastrofë me përmasa historike, tha guvernatori Roy Cooper për CNN. Personat me të cilët kam biseduar në perëndim të Karolinës së Veriut, më kanë thënë se kurrë nuk kanë parë diçka të tillë.

Ekipe të kërkim-shpëtimit nga 19 shtete, si dhe nga qeveria federale janë dërguar atje. Pothuajse 2.7 milion konsumatorë në mbarë jugun e SHBA-ve kanë mbetur pa energji elektrike dje, siç njoftuan nga Departamenti amerikan i Energjisë, apo 40% më pak se para tre ditëve.

Në Karolinën e Jugut janë raportuar 25 viktima, në Xhorxhia 17 dhe 11 në Florida. Duke cituar zyrtarët shtetërorë dhe lokalë, CNN bëri të ditur se numri i përgjithshëm i viktimave është 93.

Presidenti amerikan, Joe Biden, planifikon që të vizitojë zonat e prekura gjatë kësaj jave, siç ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Eshtë tragjike, iu tha Biden gazetarëve një ditë më parë, duke u zotuar se do t’iu ofrojë ndihmë për rimëkëmbje shteteve të goditura.

Uragani Helene goditi Floridën të enjten në mbrëmje, me erëra dhe shira të furishëm që shkatërruan shtëpi e të tjera pjesë infrastrukture.