Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët federalë të shëndetësisë miratuan pilulën e parë për trajtimin e depresionit të rëndë pas lindjes e që çdo vit prek mijëra nëna të reja në Amerikë.
Një ditë më parë, Administrata e Ushqimit dhe Barnave, (FDA) miratoi ilaçin Zurzuvae, për të ndihmuar gratë që përjetojnë depresion të rëndë për shkak të lindjes ose gjatë shtatzanisë.
Pilula merret një herë në 24 orë, për 14 ditë. Dr.Tiffany Farchione, drejtoresha e FDA-së për barnat psikiatrike:
Aksesi te një ilaç i tillë do të ndihmojë shumë nga këto gra që përballen me luhatje të skajshme emocionesh e që ndonjëherë janë kërcënuese për jetën.
Depresioni pas lindjes prek rreth 400 mijë gra në vit e megjithëse shpesh mund të largohet vetë brenda disa javësh, ai dhe mund të vazhdojë për muaj apo dhe vite me radhë.
Trajtimi standard përfshin terapi ose ilaçe kundër depresionit, të cilat mund të duan javë të tëra për të dhënë efekt e nuk i ndihmojnë të gjithë.
Pilula e re prodhohet nga Sage Therapeutics, një kompani që ofron një ilaç të ngjashëm që jepet me injeksion për tre ditë në institucione mjekësore.
FDA-ja e miratoi atë kurë në vitin 2019, edhe ose nuk përdoret gjerësisht për shkak të çmimit prej 34 mijë dollarësh e po ashtu vështirësive për t’u përdorur.
Miratimi i pilulës nga FDA-ja bazohet në dy studime të kompanisë që treguan se gratë që përdorën ilaçin Zurzuvae kishin më pak shenja depresioni gjatë një periudhe prej katër deri në gjashtë javësh, krahasuar me ato që morën një placebo.
Efekti u shfaq brenda tre ditëve për shumë paciente.