Bota Tech

Amerika vijon me akuzat ndaj TikTok-ut, shkak privatësia e fëmijëve!

Komisioni Federal i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FTC) i ka referuar një ankesë Departamentit të Drejtësisë kundër aplikacionit të TikTok-ut dhe kompanisë së tij mëmë kineze “ByteDance”, duke pretenduar se ata nuk mbronin privatësinë e fëmijëve.

Në një deklaratë, FTC-ja u shpreh se kishte arsye për të besuar se “TikTok” dhe “ByteDance” po shkelin ose do të shkelin Aktin e Mbrojtjes së Privatësisë në internet të Fëmijëve. Rregullatori nuk ka dhënë detaje të mëtejshme lidhur me shkeljet e supozuara në deklaratën e bërë.

FTC është përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve në Amerikë e po ashtu luan një rol të rëndësishëm në politikën e konkurrencës. TikTok-u hodhi poshtë akuzat në një deklaratë në platformën X, duke theksuar se kishte qenë në bisedime me FTC-në për më shumë se një vit.

Ne jemi të zhgënjyer që agjencia po ndjek një proces gjyqësor në vend që të vazhdojë të punojë me ne për një zgjidhje të arsyeshme, tha komisioni.

TikTok vuri në dukje se shumë nga pretendimet e FTC-së lidheshin me ngjarjet dhe praktikat e kaluara e ishin faktikisht të pasakta ose ishin adresuar. Në vitin 2019, TikTok-u ra dakord të paguante 5,7 milion dollarë për të zgjidhur akuzat e FTC-së kundër kompanisë paraardhëse të saj, Musical.ly, në lidhje me mbledhjen e të dhënave nga fëmijët nën moshën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve, në kundërshtim me ligjin amerikan.

Sipas FTC-së, hetimi aktual për TikTok-un dhe kompaninë e saj mëmë me qendër në Kinë “ByteDance” filloi me një auditim për të përcaktuar nëse platforma ishte në përputhje me kushtet e marrëveshjes së mëparshme.

TikTok-u është aktualisht i përfshirë në një betejë të veçantë ligjore në SHBA mbi një ligj të propozuar që do të detyronte një ndryshim të pronësisë.

Politikanët amerikanë janë të shqetësuar se qeveria kineze mund të aksesojë potencialisht të dhëna nga përdoruesit amerikanë përmes “ByteDance” dhe ta përdorë aplikacionin për propagandë. TikTok-u ka mohuar akuzat dhe ka ndërmarrë veprime ligjore në SHBA.