Rajoni

Amerika: Qeveria e Kosovës të lëvizë përpara me Asociacionin!

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se Uashingtoni beson se për Kosovën është urgjente që të lëvizë përpara me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjatë një interviste, Hovenier u shpreh se Kosova ka shumë miq që duan ta shohin shtetin si pjesë të organizatës të Këshillit të Europës e të shfaqë përkushtimin për të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut.

Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Europës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën.

Kosova dështoi të futej në axhendën e takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës të mbajtur në mes të majit në Strasburg, pasi shtetit iu vendos kusht që të lëvizte përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ditë para takimit në Strasburg, kryediplomatja Donika Gërvalla, përmes një letre njoftoi Këshillin e Europës se Kosova synon që të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit, në këmbim të pranimit të shtetit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Por, në letrën e Gërvallës thuhej se draft-statuti do të frymëzohej nga një draft i prezantuar kohë më parë nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

Hovenier tha se kjo ofertë e Gërvallës nuk është më e vlefshme. Ndërkaq, sa i përket se çfarë draft-statuti duhet që Kosova të dërgojë në Kushtetuese, ambasadori amerikan tha:

Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e Qeverisë së Kosovës se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por, do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Europian, ky draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme.