Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se administrata e tij është duke punuar për të gjetur një mënyrë në lidhje me heqjen e kufizimeve ndaj Ukrainës mbi përdorimin e armëve me rreze të gjata veprimi në luftën e Kievit kundër Rusisë. I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do t’i heqin kufizimet për Ukrainën, shefi i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj duke thënë se administrata e tij “tani po punon për këtë”.
Shtetet e Bashkuara kanë ngurruar ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët me të cilat e furnizojnë për sulme në thellësi të Rusisë e kjo për shkak të frikës se mund të përshkallëzohet konflikti.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu bëri thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet duke iu theksuar liderëve ushtarakë e të mbrojtjes të mbledhur në Gjermani se ata nuk duhet t’ia kufizojnë aftësitë vendit të tij për luftën ndaj forcave të Kremlinit.
Por, pas takimit, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se vetëm armët ushtarake nuk janë vendimtare për Ukrainën, për t’u mbrojtur nga pushtimi i plotë rus dhe shtoi se përdorimi i armëve amerikane për sulme në thellësi të Rusisë nuk do ta kthente luftën në dobi të Ukrainës.
Lufta ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz bëri thirrje lidhur me ripërtëritjen e përpjekjeve për të sjellë paqe në Ukrainë, duke thënë se ai dhe Zelensky ranë dakord se nevojitet një konferencë e re për paqe, në të cilën do të përfshihej edhe Rusia.
Besoj se tani është koha të diskutohet si të arrihet paqja nga kjo gjendje lufte, me një ritëm më të shpejtë.
Scholz është në presion pasi të tre partitë e koalicionit të qendrës së majtë pësuan humbje të dhimbshme në zgjedhjet rajonale të 1 shtatorit e grupet që synojnë marrëdhënie më të mira me Moskën, fituan më shumë vota.
Nacionalistja Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe partia e re BSW, që e kundërshtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën shënuan arritje rekord në zgjedhje. Në korrik, Zelensky tha se synon ta ketë gati një plan deri në nëntor, që Kievi të jetë në gjendje ta organizojë samitin e dytë ndërkombëtar për paqe në Ukrainë edhe me përfaqësues nga Rusia.