Bota

Amerika ndihmoi Izraelin të rrëzonte raketat e Iranit!

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “kapën disa raketa” që Irani i hodhi në drejtim të Izraelit.

Ne e dënojmë këtë akt të egër të agresionit nga Irani dhe i bëjmë thirrje të ndalojë çdo sulm të mëtejshëm.

Dje, Irani hodhi disa raketa në drejtim të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për “agresionin e Izraelit kundër aleatëve në Liban e në Gaza”. Irani paralajmëroi edhe se Izraeli do të përballet me “sulme shkatërruese” nëse përgjigjet.

Austin shtoi se Amerika është duke monitoruar nga afër situatën dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me aleatët e partnerët.

Jam thellësisht krenar për aftësinë dhe guximin e trupave amerikane, që ndihmuan për të shpëtuar jetë nga sulmi i Iranit dhe që vazhdojnë ta mbështesin mbrojtjen e Izraelit.

Shefi i Pentagonit bëri të ditur se ka biseduar edhe me homologun izraelit, Yoav Gallant, përmes telefonit.

Ministri dhe unë shprehëm mirënjohje të ndërsjellë për mbrojtjen e koordinuar të Izraelit kundër gati 200 raketave balistike të lëshuara nga Irani dhe u zotuam se do të mbetemi në kontakt të ngushtë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se “Irani bëri gabim” me sulmin dhe se “do të paguajë” për të. Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian përsëritën thirrjet për armëpushim, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet sot për të diskutuar mbi këtë çështje.